09:35 / E Martë, 14 Korrik 2020 / indeksADMonline

OBSH: Shumë shtete po shkojnë në drejtim të gabuar, rikthimi në normalitet s’do të jetë i mundur së shpejti

OBSH-ja ka paralajmëruar se një kthim në normalitet nuk do të jetë i mundur së shpejti, sepse shumë vende po shkojnë në drejtim të gabuar dhe mesazhet e paqarta të shumë liderëve po dëmtojnë besimin e njerëzve.

Drejtori i përgjithshëm i organizatës, Tedros Adhanom, ka paralajmëruar teksa ka deklaruar: “Nëse qeveritë nuk komunikojnë qartë me qytetarët e tyre dhe nuk zhvillojnë strategji që synojnë frenimin e përhapjes se Covidit-19 dhe rrjedhimisht nuk bëjnë aq sa duhet për të shpetuar jetët, nëse popullsia nuk i zbaton rregullat themelore të mbajtjes së maskës, distancimit fizik dhe higjenës, pandemia do të vazhdojë dhe gjërat do të përkeqësohen”.

Ndërkohë gjithnjë e më shumë qytete dhe rajone në mbarë botën po rikthejnë bllokimet ose po fillojnë përsëri të vendosin masa kufizuese.

Republika Çeke ka rikthyer kufizimet e udhëtimit për ata që vijnë nga Serbia dhe Mali i Zi, pas shpërthimit në këto dy vende të vatrave të reja të Covid9it-19.

Rikthimi i egërsisë pandemike në Ballkan ka frikësuar gjithashtu Greqinë, e cila do të rrisë kontrollet e hyrjes së turistëve në vend. 

Nga ana tjetër, shkencëtarët e Akademisë Mjekësore, në Londër, kanë deklaruar: “Këtë dimër, pandemia e koronavirusit mund të krijojë një stuhi perfekte”.

Ata kanë paralajmëruar, gjithashtu se vendet duhet të jenë gati për një ngritje të mundshme të kurbës së Covidit-19 gjatë muajve të dimrit, kur mendohet se shpërthimet e vatrave të koronavirusit do të jenë më serioze se shpërthimet fillestare që ndodhën gjatë muajve mars dhe prill.