20:02 / E Premte, 05 Qershor 2020 / indeksADMonline

Për shkak të Covid-19 anulohet Festivali Folklorik “I Këndojmë Lirisë”

Këtë vit, në Klinë, nuk do të mbahet Festivali folklorik mbarëkombëtar “I Këndojmë lirisë”, për shkak të rrezikut të përhapjes së virusit Covid-19.
Këtë vendim për anulimin e festivalit e ka marrë Kuvendi i Komunës së Klinës, në mbledhjen e tretë të rregullt.

Ndërkaq, ky festival për çdo vit është mbajtur më 6, 7 dhe 8 qershor, sivjet kishte vitin jubilar, sepse pikërisht para dy dekadave filloi organizimi i tij, që përkon me ditëlindjen e Komandantit të shquar të UÇK-së, Mujë Krasniqit – “Kapuçit”.

Festivalin e organizuan disa njerëz të luftës e të kulturës, bashkëluftëtarë të Komandant “Kapuçit”, për t`a lartësuar figurën madhore të njërit nga komandantët më të shquar të UÇK-së.

Kështu lindi ideja për Festivalin Folklorik gjithëkombëtar për t`u mbajtur çdo vit dhe për të filluar në vendlindjen dhe ditëlindjen e Komandant “Kapuçit”, më 6 qershor në Çabiq, të Kulla muze e Mujës, për të vazhduar për tri net radhazi, më 6, 7 e 8 qershor në Klinë, ku i këndohet luftës së UÇK-së, veprës së lavdishme të Mujë Krasniqit, Komandantit legjendar Adem Jasharit.

Vjet, ky festival është mbajtur nën përkujdesjen e Kryetarit të komunës, Prof. Dr. Zenun Elezaj dhe nën organizimin e Drejtorisë Komunale të Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Edhe sivjet ishte paraparë një organizim i tillë, por për shkak të pandemisë ai u anulua.

Kurse, nesër, kryetari i komunës, Prof. Dr. Zenun Elezaj, bashkë me bashkëpunëtorë të komunës, familjarë të Komandant Mujë Krasniqit, përfaqësues të OVL- UÇK-së dhe qytetarë, do të bëjnë homazhe pranë shtatores së Mujë Krasniqit në Klinë dhe në kompleksin memorial te varrezat e dëshmorëve në Marinë.