23:13 / E Diele, 16 Dhjetor 2018 / indeksADMonline

Përdorues të shumtë të narkotikëve, policia konfiskoi kaq kilogram gjatë këtij viti

Numri i personave të cilët përdorin narkotik ka shënuar rritje këtë vit. Madje droga e cila po preferohet më së shumti nga të rinjtë është kokaina dhe marihuana e cila ka shënuar rritje sidomos këtë vit.

Kështu thonë nga Qendra për këshillim dhe trajtim të varësisë, Labirinti duke u bazuar në numrin e kërkesave për trajtim në këtë qendër, ndërsa thonë se mosha mesatare e fillimit të përdorimit të drogës është 16.2.

Psikologja Gentiana Kuqi Tishukaj nga kjo qendrës ka thënë për Indeksonline se një dukuri e cila është mjaftë e përhapur tani tek të rinjtë është edhe përzierja e substancave të ndryshme me alkool.


“Mosha mesatare e fillimit të përdorimit të drogave është diku rreth 16.2. sipas kërkesës për trajtim në qendrën tonë vërehet një rritje e numrit të personave që përdorin drogë. E një rritje e dukshme e përdorimit të substancave narkotike është duke u vërejtur sidomos vitin e fundit tek kokaina dhe marihuana. Po ashtu, një dukur që është mjaftë e përhapur është përziera e substancave me alkool”, ka thënë Kuqi-Tishukaj.

Ndërsa, sipas saj, numri i personave që aktualisht është duke u trajtuar në këtë qendër është 126.

“Numri i personave në databazën tonë që kanë kërkuar shërbim deri më tash në këtë qendër është 1400. Ndërsa, aktualisht numri i i tyre që janë duke u trajtuar është 126. Prej tyre 111 janë në Programin e Terapisë Mbajtëse me Metadon në baza ditore, dhe 16 prej tyre trajtohen me seanca psikoterapeutike”, ka shtuar më tej ajo.

Përdorimi i madh i drogës tek të rinjtë mund të vërehet edhe nga statistika e Policisë së Kosovës.

Në një prononcim për Indeksonline policia ka treguar se deri më tash gjatë këtij viti janë konfiskuar një numër i madh i narkotikëve.

Sipas statistikave të tyre, gjatë këtij viti më së shumti është konfiskuar Marihuanë, me afro 1 mijë kilogram. Ndërsa pas saj, konfiskimi më i madh është ai i heroinës, ku policia ka arritur të konfiskoi rreth 120 kilogram.


Nga këto statistika vërehet se drogat më të preferuara të përdoruesve të narkotikëve janë këto dy lloje droge.

Ndryshe, policia bën të ditur se gjatë këtij viti kanë arritur të konfiskojnë edhe 259 bimë të kanabisit.

Ndërsa, në lidhje me rastet e drogës policia ka arrestuar 2012 persona.

Ndryshe, bazuar në të dhënat e prezantuara nga organizatat joqeveritare që merren me monitorimin dhe mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve dhe të rinjve, në Kosovë konsiderohet se janë rreth 25 mijë përdorues të substancave narkotike./Indeksonline/