12:35 / E Premte, 19 Korrik 2019 / indeksADMonline

Prokuroria deklarohet për vdekjen e djaloshit në Fushë Kosovë, ndajnë dhimbjen me zemër e me shpirt!

Prokuroria e shtetit është deklaruar për vdekjen e dyshimtë të djaloshit rom në Fushë-Kosovë.

Në komunikatën e lëshuar për media, Prokuroria thotë se është duke punuar me Policinë e Kosovës për të zbardhur krejt rastin.

“Më 17 korrik, një djalosh i vogël nëntë vjeç u vra në Fushë Kosovë. Vendi ynë, institucionet e drejtësisë dhe qytetarët janë të tronditur nga humbja tragjike e djaloshit të ri. Me zemër dhe shpirt ndajmë dhembjen me familjen dhe miqtë.

Vrasësi i dyshuar është arrestuar dhe po mbahet në paraburgim. Policia e Kosovës dhe Kryeprokurori i Shtetit i Republikës së Kosovës, po punojnë së bashku në rishikimin e plotë të procedurave, veprimeve dhe rrethanave të kësaj tragjedie të hatashme. Do të punojmë me zell për të trajtuar mangësitë e identifikuara dhe për të zhvilluar protokolle më të mira, të cilat do të mbrojnë më mirë qytetarët, veçanërisht ata që janë më të cenueshëm në shoqërinë tonë.

I shprehim ngushëllimet tona më të thella familjes në këto momente të rënda” thuhet në njoftimin e Prokurorisë./Indeksonline/