Promovohet libri “Religjioni dhe Mjekësia”, nga Halil Krasniqi
Mbrëmë, më 19 gusht 2026, në Bibliotekën Qendrore të Campus UBT në Lipjan, u mbajt promovimi i librit tim më të ri, “Religjioni dhe Mjekësia – Besimi, shëndeti, jeta dhe rruga e njeriut drejt së vërtetës”.
Ishte një mbrëmje e veçantë, e mbushur me takime, reflektime dhe bashkëbisedime rreth temave që libri synon të trajtojë: Marrëdhënien ndërmjet mjekësisë, besimit dhe dimensionit shpirtëror të njeriut, kuptimin e shëndetit dhe sëmundjes, fuqinë e besimit, shpresën dhe kërkimin e paqes së brendshme.
Shpreh mirënjohjen time të sinqertë për të gjithë familjarët, miqtë, kolegët, profesorët, studentët, profesionistët e shëndetësisë, përfaqësuesit e jetës akademike, kulturore dhe fetare, si dhe të gjithë dashamirët e librit që më nderuan me praninë e tyre.
Pjesëmarrja juaj i dha kësaj mbrëmjeje një vlerë dhe domethënie të veçantë. Faleminderit për fjalët, urimet, mbështetjen dhe respektin që ndatë me mua në këtë moment të rëndësishëm.
Mirënjohës për secilin që ishte pjesë e kësaj mbrëmjeje dhe për të gjithë ata që e mirëpritën këtë vepër me interes dhe dashamirësi.
Në fund, ju ftoj ta lexoni librin “Religjioni dhe Mjekësia” dhe të bëheni pjesë e këtij rrugëtimi reflektues mbi besimin, shëndetin, jetën dhe kërkimin e njeriut drejt së vërtetës. Uroj që faqet e këtij libri të jenë një nxitje për mendim, dije dhe reflektim për secilin lexues.
Prof. Dr. Dr. Halil Krasniqi

