12:27 / E Martë, 14 Korrik 2020 / Blerim

Qeveria e Kosovës miratoi Programin kombëtar për zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit 2020-2024

Qeveria e Republikës se Kosovës, e drejtuar nga kryeministri Avdullah Hoti, ka zhvilluar mbledhjen e rregullt me miratimin e disa vendimeve dhe politikave të Qeverisë në fusha të saj të përgjegjësive kushtetuese dhe ligjore.


Qeveria e Republikës së Kosovës, në pajtim me përfundimet e Kuvendit të Republikës së Kosovës, ka dhënë mendimin për nismën legjislative për Projektligjin për mbrojtjen e vlerave të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Në opinionin për përputhshmërinë me legjislacionin e Bashkimit Evropian, thuhet se dispozitat e kësaj fushe nuk janë të rregulluara me legjislacionin e BE-së dhe si e tillë mbetet në kompetencë të rregullimit të brendshëm për vendet e Bashkimit Evropian. Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, ka shprehur përkrahjen e saj për projektligjin dhe ka theksuar se miratimi i tij do të kompletojë infrastrukturën ligjore për mbrojtjen dhe respektimin e vlerave të luftës, sakrificën, angazhimin dhe kontributin e UÇK-së për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.


Është miratuar dhe proceduar për në Kuvendin e Republikës së Kosovës edhe mendimi i Qeverisë së Republikës së Kosovës për nismën legjislative për Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për menaxhimin e financave publike. Në opinionin e Ministrisë së Financave për projektligjin, theksohet se propozimet për ndryshimet ligjore përmblidhen në rregullat fiskale për rritjen e përkohshme të kufirit të deficitit në rrethanat e pandemisë COVID-19 dhe në ndryshimin e bilancit bankar. Ministria ka konstatuar se në dispozitat aktuale të ligjit, Kuvendi i Republikës së Kosovës tashmë ka bërë ndryshimet për tejkalimin e rregullave fiskale të deficitit dhe kufizimit të bilancit bankar. Andaj, edhe konsiderohet që ndryshimet e propozuara me këtë nismë legjislative nuk janë të nevojshme.


Kabineti qeveritar në mbledhjen e sotme ka miratuar Programin kombëtar për Zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit 2020-2024. Ky program ka për qëllim përcaktimin e masave dhe të prioriteteve të institucioneve shtetërore për zbatim të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian. Objektiv parësor i programit është përcaktimi i masave dhe prioriteteve që do të mundësojnë përmbushjen e detyrimeve që dalin nga kjo marrëveshje dhe konsiderohet si një nga prioritetet e Qeverisë së Republikës së Kosovës në rrugën për integrim në Bashkimin Evropian.

Miratimin e kabinetit qeveritar e kanë marrë edhe tri vendime për shqyrtimin e mëtejmë të kërkesës për shpronësim për interes publik. Vendimi i parë ka të bëjë me objektet që menaxhohen nga Agjencia Kosovare e Privatizimit, e të cilat preken nga realizimi i projekteve: ndërtimi i parkut të amfiteatrit në fshatin Mushtisht dhe çerdhes së fëmijëve dhe këndit për të moshuarit në fshatin Studençan të Komunës së Suharekës. Vendimi i dytë për shpronësimin e pronës së paluajtshme, e cila preket nga restaurimi dhe konservimi i objektit “Shtabi i UÇK-së në Kosters”, Komuna e Skenderajt. Ndërsa, vendimi i tretë është për shpronësimin e pronave të paluajtshme private, të cilat preken  nga ndërtimi i “Shiritit për rreshtim” për hyrje në Ambasadën amerikane.


Qeveria ka miratuar kërkesën e Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural për ndarjen e mjeteve financiare në vlerë 71. 269 euro për Komunën e Suharekës për kompensimin e dëmeve të shkaktuara nga fatkeqësitë natyrore elementare në ekonomitë bujqësore në këtë komunë.

Në mbledhjen e sotme, Qeveria ka emëruar ministrin Agim Veliu, Koordinator nacional për parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm dhe luftimin e terrorizmit. Më këtë vendim, ai do të kryejë detyrat dhe përgjegjësitë e përcaktuara për koordinimin, bashkërendimin, monitorimin dhe raportimin e implementimit të politikave, aktiviteteve dhe veprimeve lidhur me çështjet  e luftimit të terrorizmit dhe kundër ekstremizmit të dhunshëm. Në këtë detyrë, koordinatori do të këshillojë kryeministrin lidhur me çështjet që kanë të bëjnë me luftimin e terrorizmit, dhe ekstremizmin e dhunshëm dhe radikalizmin dhe do të koordinon aktivitetet e të gjitha institucioneve relevante në çështjet e luftimit të terrorizmit dhe masave kundër ekstremizmit të dhunshëm. Koordinatori nacional për parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm dhe luftimin e terrorizmit do të jetë përgjegjës dhe pikë kontakti ndërinstitucional dhe ndërkombëtar për të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me terrorizmin dhe ekstremizmin e dhunshëm, duke përfshirë koordinimin e organizimeve, donacioneve dhe projekteve vendore dhe ndërkombëtare.