13:52 / E Shtunë, 04 Prill 2020 / indeksADMonline

Qyteza spanjolle izolohet nga pjesa tjetër e regjionit, për të parandaluar përhapjen e COVID-19

Në përpjekje që të parandalojë infektimin e banorëve në këtë kohë pandemie, një qytezë spanjolle është izoluar nga pjesa tjetër e regjionit.

Zahara de la Sierra është qyteza e rrethuar në formë fortifikate, që ndodhet në pjesë kodrinore në Andalusia të pjesës jugore të Spanjës.

Më 14 mars, në të njëjtën ditë kur Spanja njoftoi se po zgjaste gjendjen e alarmit, kryetari Santiago Galván, bllokoi të gjitha, përveç një nga pesë hyrjet e kësaj qyteze.

Që atëherë, në Spanjë janë 117 mijë të infektuar me coronavirus, derisa afro 11 mijë kanë vdekur. Por asnjë rast i vetëm i me Covid-19 nuk është regjistruar në mesin e 1,400 banorëve në Zahara, më shumë se dy javë pas mbylljes.

Hyrja e vetme që ka mbetur e hapur, kontrollohet gjatë tërë kohës nga policia, ndërsa dy punonjës me uniforma spërkasin me dezinfektues të gjitha veturat.

Këto vetura, para hyrjes duhet të kalojnë nëpër një kanal të mbushur me dezinfektues për pastrimin e rrotave.

“Të gjitha veturat duhet të dezinfektohen, pasi nuk duam që të hyjë virusi. Fqinjëve iu kemi thënë se i pranojmë, por nuk lejojmë të hyjë brenda asnjë i panjohur”, ka thënë kryetari Galvan.

Kjo nuk është e vetmja masë për parandalimin e coronavirusit, pasi gjatë orëve të pasdites dezinfektohet rrugët, dyert e shtëpive dhe sheshet.

Janë vet banorët që janë angazhuar për mbajtjen e pastërtisë, ku njëri e vozit traktorin e vet për të spërkatur me dezinfektues, kurse një tregtar i ka paguar dy punonjëse që të shpërndajnë ushqimin e nevojshëm në 11 shtëpi.