75 Mall Live Search
15:50 / E Mërkurë, 21 Tetor 2026 / AR

Rally Dakar zhvendoset nga Arabia Saudite në Afrikë për arsye sigurie

Gara e njohur e sporteve motorike, e planifikuar të mbahet nga 9 deri më 22 janar 2027, do të zhvillohet në një itinerar të ri, pas shqetësimeve të shtuara për sigurinë në Arabinë Saudite.

Sipas raportimeve, gara pritet të nisë në Evropë, me një etapë prologu në Spanjë ose Portugali, përpara se të vazhdojë në Marok, ku parashihen rreth 12 etapa.

Arabia Saudite ishte nikoqire e Rally Dakar që nga viti 2020.

Ndërkohë, gara e ka një histori të gjatë, pasi nisi më 1978, me itinerarin nga Parisi, përmes shkretëtirës së Saharasë, deri në Dakar të Senegalit.

Për arsye sigurie, kompeticioni ishte zhvendosur më parë në Amerikën e Jugut, ku u zhvillua nga viti 2009 deri më 2019, përpara se të kalonte në Arabinë Saudite.

Zhvendosja e edicionit të vitit 2027 shënon rikthimin e Rally Dakar në Afrikë, në një periudhë kur tensionet në Lindjen e Mesme kanë ngritur shqetësime për organizimin e garave ndërkombëtare.