23:33 / E Enjte, 01 Qershor 2023 / L K

Reagon Krasniqi: Kurti nuk mund të flasë në emër të dy kryetarëve të PDK-së të zgjedhur në veri

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka reaguar pasi kryeministri Albin Kurti dhe presidentja Vjosa Osmani pranuan që të shkohet në zgjedhje të reja në veri të vendit.

Ai në emisionin “Opinion” ka thënë se Kurti nuk mund të flas në emër të dy kryetarëve të PDK-së.

“Nuk është ndonjë befasi sepse ajo që ka definuar z.Kurti në çdo hap të trajektoret së tij politike, ka qenë një veprim i izoluar pa konsultuar. Nuk befasohem që ai nuk konsultohet me z.Rama apo me z.Grubi sepse ai nuk është konsultar as me partnerët kryesorë të Kosovës. Z.Kurti nuk ka legjitimitet që të shkatërrojë raportet e Kosovës me partnerët ndërkombëtar. Prandaj nuk mund të fshihet pas numrave sepse në jetën e përditshme ka një dështim drastik, në ekonomi, arsim. Veprimet e fundit kanë tejkaluar çdo limit përkundër që nuk janë të reja”.

Krasniqi ka akuzuar kryeministrin Albin Kurti për situatën që po ndodh në veri të vendit me serbët lokalë.

Në Zubin Potok dhe Zveçan kanë fituar 2 kryetarë nga radhët e PDK-së, për të cilët Krasniqi tha se po e ushtrojnë detyrën në ambiente të tjera.

“Kryetarët e PDK në Zubin Potok dhe Zveçan, duke pasur parasysh përshkallëzimin e situatës, kanë vazhduar punën në zyra të tjera komunale por jo në zyrat e qytetit”.

Sa i përket tezës për të ribërë zgjedhje të tjera në veri të Kosovës, Memli Krasniqi tha se duhet të respektohen ligjet dhe Kushtetuta, ndërsa theksoi se Kryeministri Albin Kurti nuk mund të flasë për asnjë zgjidhje në emër të dy kryetarëve të PDK-së.

“Ka një mënyrë që duhet të respektohen ligjet për të pasur zgjedhje të reja. Shpallja e zgjedhjeve ka qenë pasojë e gabimeve të Albin Kurtit, shtyrja ka qenë antikushtetuese. Albin Kurti nuk mund të flasë në emër të dy kryetarëve që vijnë nga radhët e PDK-së”.

Memli Krasniqi theksoi gjithashtu se për situatën që po ndodh në veri të vendit, partitë opozitare nuk kanë pasur asnjë konsultim me udhëheqësit më të lartë të Kosovës.

“Nuk ka pasur asnjë konsultim nga ana e udhëheqësve të shtetit. Kam qenë në komunikim direkt me partnerët ndërkombëtarë, veçanërisht me përfaqësuesit e SHBA”.