Sejdiu prezanton Kosovën në Samitin Botëror, përmend luftën dhe jetën e vështirë të qytetarëve
Ish-Presidenti Fatmir Sejdiu ka marrë pjesë në Samitin Botëror 2019 me temën “Paqja, Siguria dhe Zhvillimi Njerëzor”.
Sejdiu ka folur për paqen, problemet dhe sigurinë në botë e ndër të tjerash ka prezantuar edhe Kosovën.
Ai para tyre ka thënë se Kosova ka përjetuar luftën, krizën e refugjatëve, pasigurinë fizike, sociale dhe jetën e vështirë.
Ai ka përmendur masakrat, një milionë qytetar të dëbuar, të pagjeturit dhe ikjen e qytetarëve.
Ish-Presidenti Sejdiu ka thënë se në një vend ku është mbytur perspektiva dhe shpresa, vetëm ikja shihet si rrugë e vetme.
Më poshtë fjalimi plotë i tij para pjesëmarrësve të samtit botëror:
Fjala ime e prezantuar ne Samitin Botëror 2019 me temën “ Paqja, Siguria dhe Zhvillimi Njerëzor” organizuar nga Federata e Paqes Universale, mbajtur nga dt. 07-11 Shkurt 2019 në Seoul, Koreja Jugore
Zonja dhe zotërinj,
Jam i nderuar të
marrë pjesë në këtë konferencë në të cilën trajtohen problemet e zhvillimit të
njerëzimit.
Në këtë zhvillim të hovshëm të jetës sonë dhe në gjithë këto mundësi, edhe
përkundër progresit të shënuar në shumë rrjedha të jetës, megjithatë ende
shohim sfida me të cilat përballet njerëzimi, ende ballafaqohemi me zhvillime
të dhembshme të cilat marrin jetë njerëzish, me zhvillime të cilat në
vazhdimësi prodhojnë pasoja të rënda sociale, kulturore dhe politike
Derisa të gjithë ballafaqohemi me këto sfida, nuk është aspak e rëndësishme
përkatësia etnike apo fetare. E rëndësishme është që zhvillimi i njerëzimit të
orientohet drejt gjetjes së një zgjidhjeje për problemet e shumta, në vende të
ndryshme si në Siri, Irak, Sudan, Mianmar, vendet e Magrebit, Nigeri, Turqi dhe
kudo tjetër ku sfidohet qenia njerëzore.
Kriza të tilla përveç dehumanizmit, prodhojnë edhe rrugë të tjera të
dekonstruktivitetit dhe të ekstremizmave të ndryshëm, e që pashmangshmërisht po
bëhen edhe pjesë e përditshmërisë sonë.
Këto kriza padyshim se s’pari godasin familjen si bërthamën e parë, e më pas
edhe shoqëritë e vendeve të ndryshme të botës.
Duke vënë në sprovë të madhe qëndresën dhe mbijetesën e këtyre dy komponentëve
kryesore, vihet në pikëpyetje fati individual dhe kolektiv duke prodhuar kështu
kontekste të reja ndërmjet shoqërive, kulturave dhe besimeve të ndryshme.
Rrethanat e tilla, padyshim se qojnë drejt sfidave të vazhdueshme si: Pasiguria
fizike, sociale dhe ekonomike, Kriza e refugjatëve, Nacionalizmi ekstrem dhe si
rezultat i kësaj vije pashmangshmërisht vështirësimi i jetës dhe i ekzistencës
si tërësi.
Praktika e deritashme na tregon se, fatkeqësisht, në shumë mjedise të botës nuk
është punuar mjaftueshëm në ndërtimin real të ndjenjave të humanizmit,
solidaritetit dhe respektit të ndërsjellë midis komuniteteve etnike dhe
religjioze. Kjo më së shumti bie barrë dhe përgjegjësi liderëve religjioz.
Prandaj këtë konferencë sot këtu, e kuptoj si një përpjekje të radhës në
drejtim të krijimit të një terreni të përshtatshëm për të ofruar ide të reja
për gjetjen e zgjidhjeve për problemet të tilla që rëndojnë mbi fatet e
njerëzimit.
Të gjitha këto zhvillime të rënda, përveç ndikimit që kanë në moszhvillimin e
njerëzimit prodhojnë vatra të krizave të cilat normalisht se kanë implikime të
gjithanshme individuale dhe kolektive.
Respektimi i lirive dhe të drejtave të njeriut nuk është dhe nuk duhet të jetë
në vullnetin e askujt, por ashtu siç edhe është i garantuar me konventa
ndërkombëtare, ashtu edhe duhet të gjej zbatim kudo.
Eskalimi në kriza të tilla që u cekën më lart në vete përmban riskun e madh të
shumë sfidave që rëndojnë dhe peshojnë mbi Familjen si bërthamë e parë e
shoqërisë. Në këtë mënyrë, ato arrijnë të ngjallin pasiguri fizike, sociale,
psikologjike dhe ekonomike duke ndikuar drejtpërsëdrejti në stagnimin e
zhvillimit njerëzor, dhe duke vënë në pikëpyetje ndjenjat humane.
Krahas kësaj,
pasiguria sociale dhe ekonomike përveç faktit se po nxit migrimin ilegal të
shumë të rinjve që vijnë nga vendet që janë me një ekonomi më të dobët dhe që
ndodhen në një proces tranzicioni, po ashtu atyre po ua rëndon jetën edhe më
shumë. Fatkeqësisht, ka shumë të atillë që në këtë rrugëtim të vështirë të
kërkimit të një jete më të mirë, kanë humbur jetën. Krizat e mëdha sociale dhe
ekonomike që po përcjellin shoqëritë tona sot, janë një pengesë e madhe e
zhvillimit të njerëzimit dhe të jetës në rrethana normale.
Këto kriza si të tilla, në këto kohë që po i jetojmë, po shkallëzohen edhe më
tepër , sidomos kur ato vijnë si pasojë e konflikteve shoqërore dhe e
konflikteve të armatosura gjer në përgjakje masakra masive, të cilat domosdo
imponojnë valë të mëdha të refugjatëve . Përveç rrënimit fizik, ata pësojnë
edhe rrënimin shpirtëror, duke u thyer plotësisht me largimin nga vende e tyre,
duke lënë pas gjithë atë që ndërtuan brez pas brezi, dhe duke kërkuar të
ndërtojnë të ardhmen diku tjetër, në një kulturë tjetër dhe në një ambient
krejtësisht të panjohur ku i ka shpie jeta. Fatkeqësisht, jo rrallë në
ambientet e tilla, përveç qasjeve mikpritëse të shumta, jo rrallë, karshi këtij
fenomeni paraqiten ide dhe aty këtu edhe politika që janë rezultat i një
nacionalizmi ekstrem i cili padyshim se prodhon kriza ndërmjet kulturave të
ndryshme, duke prodhuar edhe ekstreme të cilat mbajnë një gjendje apori në
vazhdimësi. Prandaj, është e domosdoshme një përgjigje humane në këtë
drejtim.
Të dashur miq,
Sot, shoqëritë tona ndeshen edhe me një tranzicion të madh, i cili ka prekur
familjet tona dhe shoqëritë tona. Ky lloj tranzicioni shpeshherë i keqkuptuar
ose keqinterpretuar ka shtruar shumë dilema përballë nesh, dhe më shumë se kaq
ka shtruar nevojën e përshtatjes dhe adoptimit me rrjedhat e kohës, pavarësisht
ndryshimeve të mëdha dhe të shpejta që janë imponuar. Shumë vende sot ndodhen
përballë këtyre ndryshimeve të shpejta ekonomike, politike dhe shoqërore, dhe
se ky ndryshim i madh padyshim se ka prekur edhe sektorë krucial të jetës sonë,
siç janë edukimi dhe arsimimi, shëndetësia, të cilët i ka vënë në sprovë të
madhe.
Pamundësia e një tranzicioni të thellë apo ky lloj tranzicioni i shpejtë dhe
vështirë i përballueshëm ka lënë në gjysmë tranzicionin brenda sferës së
edukimit, e cila është themel i të gjitha zhvillimeve tjera socio-kulturore. Po
kështu mosrealizimi i një tranzicioni të tillë të plotfuqishëm prodhon pasoja
shtesë, të cikat vërehen posaçërisht në fushën e edukimit dhe të arsimimit ku
qëllimshëm për arsye përfitimeve materiale, humbet balanci midis sektorit
publik dhe sektorit privat dhe pamundësohet një konkurrencë fer dhe lojale të
bazuar mbi peshën e dijes, por hyjnë kritere tjera të cilat jo vetëm se
krijojnë pasoja, por edhe rrënojnë themelet e një edukimi dhe arsimimi të
mirëfilltë.
Në këtë vijë dhe po me të njëjtat qëllime, ndeshemi edhe në shërbimet
shëndetësore jo cilësore dhe të cilat si të tilla e rëndojnë edhe më shumë
jetën qytetare.
Veprime të tilla, ku jeta e njeriut vihet në risk pikërisht si rrjedhojë e
shërbimeve jocilësore shëndetësore publike, si mungesë e tretmanit të duhur,
apo si pamundësi e marrjes së shërbimeve shëndetësore private është gjëja më
johumane në raport me qenien njerëzore.
Këto janë vetëm disa nga parregullsitë e shumta që e shoqërojnë një shoqëri pas
një konflikti, e të cilat padyshim se kanë edhe implikme në vendet përreth.
Aktualisht me sa jam në dijeni në vendet e Bashkimit Evropian të cilat
cilësohen si vende të standardeve të larta në hartimin dhe zbatimin e
politikave shëndetësore, janë duke u zhvilluar ide për një qasje të re ku do të
ishin standardet që do të rregullonin më së miri këtë balancë dhe do të
përmirësonin edhe më shumë kualitetin e shërbimeve të përgjithshme në
shëndetësi.
Fatkeqësisht, në
kohët që jetojmë në shumë nga vendet e globit ende ekzistojnë përballje të
mëdha me sigurimin e jetës dhe të shëndetit të njerëzve dhe posaçërisht të
fëmijëve që nga lindja e tyre.
Karshi kësaj kemi edhe fenomene absolutisht të papranueshme në qasjet
(mosqasjet me shërbime shëndetësore) për të mbrojtur jetën e fëmijëve edhe para
lindjes së tyre, dhe përgjithësisht këto vijnë si rezultat i politikave të
gabueshme demografike, siç kanë ndodhur në disa vende.
Fatkeqësisht edhe populli im në mënyrë selektive i është nënshtruar politikave
të tilla.
Të nderuar të
pranishëm,
Zonja dhe zotërinj,
Unë vij nga një vend
që i ka përjetuar të gjitha këto: Luftën, Krizën e refugjatëve, Pasigurinë
fizike, sociale dhe ekonomike, Jetën e vështirë dhe Tranzicioneve të nevojshme
në familje dhe shoqëri.
Pa dyshim, se edhe sot vuajmë pasojat e këtyre përjetimeve të rënda nëpër të
cilat ka kaluar vendi im. Para dy dekadash, në vendin tim u vranë shumë gra,
fëmijë e pleq. Ndodhën shumë masakra që tronditën botën dhe trokitën në
ndërgjegjen e botës së qytetëruar. Nga vendi im u dëbuan Një milionë qytetarë.
Ata përveçse u privuan nga çdo e drejtë e tyre, u përzunë edhe nga shtëpitë e
tyre, edhe nga vendi i tyre. Kemi përjetuar edhe fatin e refugjatit, sikur që
kemi kaluar në kriza të tilla të pasigurisë fizike, sociale dhe ekonomike. Edhe
sot shumë familje në vendin tim jetojnë nën ankthin e vazhdueshëm, dhe në
pritjen e përhershme që t’u kthehen anëtarët e tyre familjes, të cilët edhe pas
dy dekadash ende nuk dihet gjë për fatin e tyre.
Kapërcimi nëpër të gjitha këto padyshim se sfidon qenien njerëzore, dhe për
gjithçka tjetër mund të flitet, përveç zhvillimit të njerëzimit.
Në një vend ku është e mbytur jo vetëm perspektiva, por edhe shpresa, aty vetëm
ikja mund të shihet si një rrugë e vetme. Kjo, fatkeqësisht është përjetuar nga
shumë shoqëri të cilat ishin atakuar nga presione të kësaj natyre.
Shumë të rinj dhe të reja të vendit tim kishin marrë rrugët e vendeve të
ndryshme të Evropës dhe botës për të ndërtuar të ardhmen e tyre.
Jo nga mundësitë, por nga pamundësitë ata ishin detyruar të gjenin rrugën e
shpëtimit, shpeshherë fizik, por edhe shpirtëror.
Pafuqia dhe pamundësia e sigurimit të ekzistencës brenda për brenda vendit të
tyre, impononte ndërtimin jo vetëm të shpresës, por edhe të jetës jashtë
kufijve të Kosovës.
Sot, shumë nga ta që dikur detyroheshin të iknin nga Kosova janë emra të njohur
të sportit, të muzikës dhe të shumë sferave tjera të jetës, me të cilët jo
vetëm se krenohemi ne si shtet, por edhe vet vendi i cili u bë strehë për ta.
Të dashur miq,
Një gjë që është e
sigurt, se të gjitha këto sfida shtrojnë me të drejtë mosbindjen dhe
kundërshtimin e shoqërisë. Pavarësisht se në çfarë rrethanash a kontekstesh,
pakënaqësitë e grumbulluara një ditë do të shpërthejnë përmes grevave apo
protestave të ndryshme si formë e kundërshtimit.
Por, konsideroj që para së gjithash është e rëndësishme që të gjitha këtyre
çështjeve, t’u japim një alternativë të zgjidhjes humane, duke pasur gjithmonë
qëllim tonin ruajtjen e qenies njerëzore pavarësisht ngjyrës, bindjes politike,
religjioze, apo përkatësisë etnike.
Dhe kjo në fakt është nevojë e pasurimit me këto vlera të diversitetit në
rrafshe të ndryshme.
Prandaj, edhe në këto rrafshe mediat e lira, sesionet shkencore dhe publikimet
e rezultateve nga këto janë një nga faktorët e pakapërcyeshëm që mund të
ndihmojnë në ngritjen e nivelit në secila nga fushat e përmendura.
Kjo paralelisht, nënkupton reformat e vazhdueshme në secilën nga to dhe këto
reforma të jenë rezultat i përmbledhjes së nektarit të përvojave më të mira të
deritashme si rrugëzgjidhje për ngritjen e cilësisë, ruajtjen e shëndetit dhe
zhvillimin e edukatës së shëndoshë që para së gjithash njeriun pavarësisht
etninë, pavarësisht ngjyrën, pavarësisht racën e shohin si qenie njerëzore dhe
që rrjedhë si rezultat i dashurisë.
Miq të nderuar,
Më lejoni ta
përmbylli fjalën time para jush me thëniet e Nënës së Dashurisë, Paqes dhe
Humanizmit, Nënë Terezës, “Sëmundja më e madhe sot nuk është kanceri apo
gërbula, por indiferenca dhe mungesa e interesimit”.
Prandaj, bëj thirrje që të mos heshtim, dhe të mos mbesin sfidat e tilla nën
hijen e indiferencës, ngase siç ka thënë Shën Tereza, “Kudo që jeta është në
rrezik, aty duhet të jemi ne”.
Ju faleminderit shumë!