22:46 / E Hënë, 28 Nëntor 2022 / AR

Selimi: Festë për liderët e UÇK-së s’mund të ketë, por me zemër janë me ne

Gjatë edicionit qendror të lajmeve në RTK, në studio ishte e pranishme Shqipe Selimi, ish-pjesëtare e UÇK-së, bashkëshorte e komandantit Rexhep Selimi, i cili ndodhet në paraburgim në Hagë.

Ajo fillimisht i uroi shqiptarët kudo që janë për festën e flamurit dhe festat e nëntorit, ndërsa për mbledhjen e parë të dy kuvendeve, Shqipëri – Kosovë, tha duket se amanet i stërgjyshërve dhe prindërve tanë po bëhet realitet.

“Ishim në Vlorë. Edhe unë isha pjesë e mbledhjes së dy kuvendeve në Tiranë. Ishte një takim shumë emocional, por aspak i largët. Na u duk sikur ishte mbledhja e radhës e dy kuvendeve tona. Ishte një mbledhje vëllazërore, me ndjenja shpirtërore të thella. M’u duk sikur një amanet i stërgjyshërve dhe prindërve tanë po bëhet realitet. Të gjithë deputetët ishin shumë emocionues, sidomos deputetët nga Kosova kishin një ndjenjë atdhedashurie, sikur po bashkohemi me të vërtetë”, tha Selimi.

Ajo duke i uruar liderët e Ushtrisë Çlirimtarë të Kosovës për festën e 28 Nëntorit, tha se vështirë është sot për ta të jetë festë, sepse dihet vendi ku janë.

“Ata sot kanë pasur vizita nga shokë të ndryshëm. Nuk i kanë lënë vetëm. Festë për ta nuk mund të them se është, sepse dihet vendi se ku janë, por me shpirt e me zemër janë me gjithë bashkëkombësit anekënd botës”, shtoi ajo.