18:59 / E Martë, 11 Maj 2021 / k.v

ShPQK kërkon ndihmën e qeverisë, alarmon për gjendjen e rëndë të fermerëve

Shoqata e Prodhuesve të Qumështit të Kosovës ka kërkuar nga ekzekutivi që sa më shpejtë të bëhen pagesat e mbetura të subvencioneve për fermerët. Këtë kërkesë e kanë paraqitur gjatë një takimi të zhvilluar me zëvendëskryeministrin e Kosovës Besnik Bislimi lidhur me problemet me të cilat po ballafaqohet sektori i bujqësisë në Kosovë në përgjithësi e në veçanti sektori blegtoral dhe prodhimtaria e qumështit, sidomos pas paraqitjes së pandemisë dhe pasojave të saj.

Një nga pikët e diskutimit ishte gjetja e mundësive për ekzekutim sa më të shpejtë të pagesave te mbetura te subvencioneve të papaguara për fermerët pas vendimit të qeverisë së kaluar për dyfishim të subvencioneve, si rrjedhojë e kërkesave tona për të lehtësuar sado pakë humbjet pas paraqitjes së pandemisë Covid-19 dhe pasojave të saje.

“Fatkeqësisht, ne u njoftuam nga zv. kryeministri, por edhe më herët nga ministri i bujqësisë, se ka mungesë të mjeteve dhe nuk morëm ndonjë përgjigje të saktë apo shpresë, se këto pagesa do të ekzekutohen së shpejti!”, theksoi Milazim Berisha, i cili në takim ishte së bashku me anëtarë të kësaj shoqate Ardian Purrini dhe Behlul Behluli.

Sipas tij pritet një vendim se si do të procedohet tutje me pagesat e premtuara dhe të papaguara të subvencioneve!

Po ashtu, ShPQK shprehu nevojën për një përkrahje edhe më të madhe në të ardhmen, hapësirë më të madhe tregu, aprovim të ligjit për tregtim të brendshëm e shumë nevojave të tjera.

“Ne mbesim me shpresë, se do të gjinden mundësi që pagesat të ekzekutohen sa më parë, sidomos duke marrë parasysh gjendjen tepër të rëndë të prodhuesve të qumështit dhe faktit se ky vendim nga qeveria ka fillua të implementohet dhe shumë nga fermerët veç i kanë marrë mjetet e dedikuara për përkrahje”, theksoi Berisha.