12:59 / E Shtunë, 08 Maj 2021 / B O

Shqipëria do të padisë Serbinë për gjenocid në Kosovë? Vuçiq: Akt bashkimi

Albin Kurti njoftoi ditën e premte se Qeveria e tij kishte nisur nga puna për plotësimin e dosjes dhe paditjen e Serbisë për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, që vepron nën ombrellën e Kombeve të Bashkuara.

“Ne jemi të bindur që Serbia ka kryer gjenocid në Kosovë në luftën e fundit tek ne dhe kjo e meriton një padi dhe qeveria e Republikës së Kosovës e ka përgatitjen e saj obligim ndaj historisë tonë, ndaj qytetarëve që kanë plagët e hapura, edhe ndaj ardhmërisë tonë, që kërkon një shtet demokratik, një shtet të drejtë në të cilën dihet qartë se kush është agresori, e kush është viktima”, deklaroi Kurti në një konferencë për shtyp.

Ideja e ngritjes së padisë ndaj shtetit serb nuk është e re. Ajo qarkullon prej vitesh dhe në 2016 e 2017 e pati paralajmëruar edhe Hashim Thaçi. Por, mes presionit ndërkombëtar për të mos “dëmtuar” dialogun e nisur me Serbinë dhe pamundësisë së Kosovës për të aktivizuar Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, pasi nuk është anëtare e OKB-së, asnjëherë nuk u materializua.

Një propozim i hedhur në Kosovë sugjeron që padia të ngrihet në GjND përmes një vendi të tretë, anëtar i OKB-së me të drejta të plota dhe Shqipëria është njëra prej tyre. Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç e ka nuhatur këtë.

“Po kërcënoni Serbinë me padi për gjenocid? Mund ta realizoni këtë vetëm përmes një shteti tjetër, që është Shqipëria”, deklaroi ai në një intervistë televizive për mediat serbe, duke shtuar se për Beogradin ky hap do të konsiderohej si bashkim me Shqipërinë.

“Kjo do të thotë bashkim me Shqipërinë. U kërkoj shqiptarëve të Kosovës që të mos e bëjnë këtë”, mbylli reagimin e tij Vuçiç.

Gjatë luftës së viteve 1998-1999 kanë mbetur të vrarë rreth 13,500 persona. Mijëra të tjerë janë të zhdukur, ndërsa mbi 800 mijë shqiptarë u dëbuan nga shtëpitë e tyre. Muaji më i përgjakshëm ishte prilli i vitit 1999 me rreth 4 mijë viktima.