Shqipëria ka flotën më të vjetër të automjeteve në Europë, ja ku rënditet Kosova
Shqipëria vijon të ketë një nga flotat më të vjetra të automjeteve në Europë, ndonëse vitet e fundit është rritur interesi për makinat elektrike, hibride dhe ato me kilometrazh zero.
Të dhënat më të fundit të Eurostat-it për strukturën e autoveturave sipas moshës tregojnë se në fund të vitit 2024, viti i fundit i disponueshëm për Shqipërinë, 43% e makinave kishin një vit prodhimi që daton më shumë se 20 vjet përpara, e dyta më e lartë në Europë, pas Gjerogjisë (50.6%) dhe shumë më e lartë se në vendet e tjera të rajonit, me Kosovën që ka 28% makina mbi 20 vjet, Serbia (32%), Masli i Zi (14.5%).
47% e automjeteve në Shqipëri ishin nga 10-20 vjet të vjetra. Në total, rreth 91% e autoveturave në Shqipëri ishin mbi 10 vjet të vjetra. Vetëm një pjesë shumë e vogël e flotës përbëhej nga mjete të reja: rreth 1.4% ishin deri në dy vjet dhe afërsisht 2% ishin nga dy deri në pesë vjet të vjetra.
Kjo e vendos Shqipërinë në vendin me peshën më të ulët të automjeteve të reja dhe me një flotë më të vjetër se në çdo vend të Europës. E dyta pas Shqipërisë është Boznjë Hercegovina, me 86% të automjeteve mbi 10 vjeçare, e ndjekur nga Serbia (81%), Gjergjia, me 81%, Mali i Zi (80%). Në shtetet e zhvilluara të Europës, pesha e mjeteve që kanë më shumë se 10 vjet nga prodhimi është nën 40%.
Varësia nga makinat e përdorura lidhet me të ardhurat më të ulëta, çmimet e larta të automjeteve të reja dhe tregun e zhvilluar të importeve nga Europa dhe, së fundmi, nga Azia.
Në vitin 2024, rreth 53% e automjeteve të regjistruara për herë të parë në Shqipëri ishin 9–15 vjet të vjetra dhe 26% ishin mbi 15 vjet. Vetëm 12% kishin moshë deri në katër vjet.

