12:48 / E Mërkurë, 15 Korrik 2020

S’jepen as këtë javë 170 eurot, vazhdon zvarritja e procesit

170 eurot që janë premtuar nga Qeveria e kaluar për dy muaj për t’i dalë në ndihmë sektorit privat për shkak të pandemisë po dalin të jenë “dardhë me bisht” për kosovarët.

Tashmë dy muaj ata po presin pagesën e dytë të Paketës fiskale emergjente, shkruan IndeksOnline.

Qeveria e Hotit që është dashur t’i ekzekutonte këto para në fund të muajit maj ose në fillim të qershorit ende nuk ka arritur që të përfundojë këtë proces.

Ndonëse, deri tani faji u ishte lënë deputetëve në Kuvendin e Republikës së Kosovës për shkak të mosmiratimit të Projektligjit nr. 07/L-014 për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit nr.07/L-001 mbi ndarjet buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2020.

Por ndonëse, më 13 korrik, Kuvendi ka miratuar në lexim të parë këtë projektligj kosovarët ende nuk janë duke mundur t’i përfitonin 170 eurot e premtuara.

Ministrja e Financave, Hykmete Bajrami, pas miratimit të Projektligjit të buxhetit në lexim të parë, ka kërkuar që “projektligji të procedohet sa më shpejt në komisione parlamentare në mënyrë që ai të sillet në Kuvend për votimin përfundimtar”.

Mirëpo, Komisioni për buxhet dhe tranfere, ndonëse ka të planifikuara dy mbledhje, të mërkurën dhe të premten, nuk parashihet që të diskutojnë për këtë çështje.

IndeksOnline ka kontaktuar me kryetarin e këtij komisioni, Hekuran Murati, i cili ka theksuar se s’ka ndarje të mjeteve as këtë javë.

Ai tha se në javën tjetër pritet të procedohet Projektligji nr. 07/L-014 për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit nr.07/L-001 mbi ndarjet buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për 2020.

“Jo, sot nuk do të procedohet ky projektligj, besoj që javën tjetër për shkak që duhet kohë më shumë për të shqyrtuar amendamentet”, ka thënë Murati për IndeksOnlinen.

E, siç duket edhe javën e ardhshme punëtorët  e sektorit privat në Kosovë do t’i mbajnë sytë nga Kuvendi e mediat për lajmin e shumëpritur.

Kështu i bie që së paku edhe dy javë ata nuk do të marrin ndihmë nga Qeveria e Hotit, për shkak se pas procedimit të projektligjit në Komision për financa dhe transfere duhet që të dërgohet në Kuvend që të votohet përsëri për votimin përfundimtar. /Indeksonline/

Mos i humb