75 Mall Live Search
08:28 / E Martë, 09 Qershor 2026 / G T

S’ka të drejtë të futet në SHBA, gjyqtari afrikan s’mund të gjykojë ndeshjet e Kupës së Botës

Federata Ndërkombëtare e Futbollit (FIFA) ka konfirmuar se gjyqtari somalez, Omar Abdulkadir Artan, nuk do të mund të marrë pjesë në Kupën e Botës që do të zhvillohet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pasi autoritetet amerikane i kanë refuzuar hyrjen në vend.

Artan konsiderohet si një nga gjyqtarët më të respektuar të kontinentit afrikan dhe ishte përzgjedhur për të qenë pjesë e ekipit të arbitrave të turneut, shkruan Indeksonline

Sipas Ministrisë së Rinisë dhe Sportit të Somalisë, arbitri kishte udhëtuar me një vizë të vlefshme amerikane, por nuk është lejuar të hyjë në SHBA për shkak të politikave të emigracionit që prekin shtetasit e vendeve të përfshira në listën e ndalimit të udhëtimit, ku bën pjesë edhe Somalia.

Në një reagim zyrtar, FIFA theksoi se nuk ka rol në procedurat e emigracionit të vendit organizator.

“FIFA nuk është e përfshirë në proceset e emigracionit të vendit pritës, përfshirë procedurat e vizave dhe është informuar nga autoritetet se statusi i zotit Artan nuk do të ndryshojë për momentin. Ashtu si në ngjarjet e mëparshme të FIFA-s, qeveria e vendit pritës vendos përfundimisht se kujt i jepet viza dhe kujt i lejohet hyrja në territorin e saj”, thuhet në deklaratën e organizatës.

Rasti ka ngjallur reagime në qarqet sportive afrikane, pasi Artan shihej si një nga përfaqësuesit më të spikatur të arbitrimit afrikan në skenën ndërkombëtare./Indeksonline/