75 Mall Live Search
20:58 / E Diele, 09 Gusht 2026 / F.R

Skënder Bajrami po ndërton “Parkun e Reflektimit” në Dumnicë, në nderim të 27 të rënëve

Sipërmarrësi Skënder Bajrami, pronar i Auto Sallonit “Alberti”, po ndërton në fshatin Dumnicë të Vushtrrisë kompleksin memorial “Parku i Reflektimit”, kushtuar të rënëve të këtij fshati gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Kompleksi është konceptuar si një hapësirë kujtimi, nderimi dhe reflektimi, ku janë vendosur emrat e 27 burrave që humbën jetën gjatë asaj periudhe. Përveç ruajtjes së kujtesës për të rënët, parku synon të përcjellë edhe mesazhin për rëndësinë e paqes dhe përgjegjësinë për ta ruajtur atë.

Projekti po realizohet me angazhimin e drejtpërdrejtë dhe mjete vetanake të Bajramit. Ky nuk është investimi i vetëm i tij në Dumnicë, pasi më herët ai ka financuar edhe rindërtimin e plotë të shkollës së fshatit, përfshirë pajisjen e saj me inventar modern, si dhe projekte të tjera infrastrukturore.

Bajrami njihet si sipërmarrës me aktivitet të gjerë biznesor, ndërsa në Vushtrri emri i tij lidhet edhe me zhvillimin e MBC-së.

Krahas veprimtarisë biznesore, ai është përfshirë ndër vite edhe në iniciativa humanitare, duke ndihmuar familje në nevojë, persona të sëmurë dhe familje me kushte të vështira banimi, përfshirë edhe ndërtimin e shtëpive për familjet në nevojë.