09:33 / E Martë, 14 Korrik 2020 / indeksADMonline

Stabilizohet gjendja e drejtorëve të prekur me Covid-19 në Ferizaj, por jo edhe e qytetarëve

Gjysma e drejtorëve të Komunës së Ferizajt ishin prekur me Covid-19. Mirëpo tani ata kanë filluar të kthehen në vendet e tyre të punës, pasi që kanë rezultuar negativ në testet e bëra. Kështu ka bërë të ditur për IndeksOnlinen, kryetari i kësaj komune Agim Aliu.

Ndonëse situata është stabilizuar në menaxhmentin e komunës, njësoj nuk mund të thuhet edhe për qytetarët, numri i të cilëve  që janë të prekur nga virusi Corona vazhdon të jetë i lartë.

Aliu ka thënë për IndeksOnlinen se tani e domosdoshme është të bëhen sa më shumë teste.

“Numrin e kemi të ngritur te qytetarët, kërkojmë të bëhen teste, ka kritere të tjera, për bërjen e tyre. Ndodh t’i kenë të gjitha simptomat, por se u kërkohen të kenë simptoma më të theksuara, për tua bërë testet. Spitali ka numër të madh të pacientëve të shtruar”, theksoi Aliu.

Ai ka treguar se aktualisht janë duke u përpjekur që një hapësirë të Qendrës Kryesore Familjare në Ferizaj  ta lirojnë për personat e prekur me Covid-19, e po ashtu janë në pritje që objekti i Institut të Shëndetësisë Publike që operon në këtë rajon të funksionalizohet, meqë siç ka thënë Aliu komuna që ai e udhëheq ka kryer pjesën që i ka takuar, duke e rregulluar infrastrukturën e këtij objekti.

Aliu ka treguar se ndonëse Qeveria e Kosovës ka marrë vendimin dje për mbylljen e çerdheve, komuna e tij ka më shumë se dy javë që ka mbyllur ato.

“Disa masa i kemi marrë më herët, çerdhet i kemi mbyllur që së paku 2 javë, duke pasur parasysh faktin që vërehej një përhapje e covid-19. Në përgjithësi sot kur kam ardhur në punë kam parë qytetarët që kanë më shumë maska dhe po besoj që edhe masat tjera që janë do të respektohen, me inspektorët do i vëzhgojmë “, theksoi Aliu.

Ndryshe në Komunën e Ferizajt janë 223 raste aktive me Covid-19, 151 persona janë të shëruar, ndërsa dy persona kanë përfunduar me fatalitet, në fazën fillestare të përfshirjes së vendin me pandeminë Covid-19./IndeksOnline/