Superkompjuteri parashikon fituesin e Premierligës për sezonin 2026/27
Superkompjuteri Opta Analyst ka publikuar parashikimin e tij për sezonin e ardhshëm të Premier League dhe ka identifikuar favoritin kryesor në garën për titull. Sipas rezultateve të simulimit, kampionët në fuqi Arsenal kanë probabilitetin më të lartë për të fituar titullin e sezonit 2026/27.
Klubi londinez doli fitues në 38% të simulimeve të drejtuara nga superkompjuteri, duke e vendosur skuadrën e Mikel Artetas në një avantazh të lehtë ndaj rivalëve të tyre më të afërt, Manchester Cityt. “Qytetarëve” u jepet një shans prej 20.5% për të fituar ligën.

Liverpooli renditet i treti midis favoritëve, me një shans prej 9.2% për të ngritur trofeun e Premier Ligës. Diferenca midis Reds dhe dy kandidatëve kryesorë është mjaft e konsiderueshme sipas parashikimeve.
Pas Liverpoolit janë Manchester United, Aston Villa dhe Chelsea. Këto klube shihen gjithashtu nga superkompjuteri si pretendente të mundshme në garën për titull, por shanset e tyre janë dukshëm më të ulëta krahasuar me Arsenalin dhe Manchester Cityn.
Prandaj, sipas modelit parasezonal të Opta-s, janë “Topçinjtë” kandidatët kryesorë për kurorën e kampionatit. Londinezëve u është dhënë pothuajse dyfishi i gjasave për sukses krahasuar me Manchester City-n.

