15:43 / E Martë, 26 Maj 2020 / indeksADMonline

Sylë Tahirsylaj tregon se kur do të përfundojnë të reshurat e shiut

Mot jostabil, i vranët dhe herë-herë i shoqëruar edhe me reshje shiu ka mbretëruar gjatë ditëve të fundit në territorin e Kosovës.

Në vend, po ashtu ka pasur edhe shkarkime rrufesh si pasojë e vranësirave konvektive të cilat kanë qenë në zhvillim, kryesisht në stadin e parë dhe të mesëm të troposferës.

E profesori universitar i meteorologjisë, Sylë Tahirsylaj ka thënë për Agjencinë e Lajmeve FaktePlus se moti me shi e vranësira do të vazhdojë edhe pak ditë.

“Vendi jonë do të vazhdojë të jetë nën ndikimin e masave ajrore me veti të ndryshme fizike, për rrjedhojë moti do të jetë i ndryshueshëm në intervale të shkurtra kohore me diell dhe reshje shiu, prandaj është mot i ndryshueshëm. Kemi të bëjmë pra me një pranverë të vonë”, ka thënë ai.

Eksperti Tahirsylaj shton moti do të ketë ndryshime gjatë javës së ardhshme dhe temperaturat do të fillojnë të ngritën.

“Kjo kohë pritet të përfundoj, sepse nga java e ardhme do të ketë ngritje të temperaturave”, ka thënë profesori.

Ndryshe ditë më parë vendin e pati përfshirë edhe pluhuri i madh që me shfaqjen e reshjeve të shiut është larguar.