18:38 / E Hënë, 10 Gusht 2020 / indeksADMonline

Tahiri: Sot Kurti u kërkoj ndihmë shteteve mike, deputetët e tij s’votuan për ligjet në ndihmë të qytetarëve

Ish-ministri i Drejtësisë, njëherit deputeti i PDK-së, Abelard Tahiri, përmes një postimi të bërë në Facebook, ka komentuar thirrjen e liderit të VV-së, Albin Kurti për ndihmë në adresë të shteteve mike.

Tahiri, ka thënë se pikërisht deputetët e partisë së Kurtit, nuk i votuan ligjet për t’u dalë në ndihmë qytetarëve të goditur nga pandemia.

Ky është postimi i plotë i Tahirit:

Sot, Albin Kurti u kërkoi ndihmë shteteve mike të Kosovës, por javën që lamë pas ishin pikërisht deputetët e partisë së tij që nuk votuan ligjet e nevojshme për t’u dalë në ndihmë qytetarëve të goditur nga pandemia, në mes tjerash ligjin që mundëson tërheqjen e 10 % të parave nga Trusti. Pra, kishte mundësi t’ua lehtësonte barrën qytetarëve, por Kurti dhe deputetët e tij nuk e bënë këtë. Ashtu siç nuk e bënë as kur e qeverisnin vendin.

Fshehja e përgjegjësisë dhe hipokrizia përballë kësaj situate nuk mund të kamuflohen me simbolika dashamirëse.

Natyrisht se Kosova ka nevojë për ndihmën e vendeve mike. Por, vendet mike duhet po ashtu t’i kursejmë nga përgjegjësitë që na takojnë neve si politikanë, prej të cilave komplet Vetëvendosja dhe lideri i saj kanë hequr dorë.