14:29 / E Shtunë, 04 Prill 2020 / indeksADMonline

Takohen kryetarët e komunave të lindjes, bashkëpunojnë për parandalimin e përhapjes së Covid-19

Me iniciativë të kryetarit të Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, sot është mbajtur takimi i kryetarëve të komunave pjesë e Agjencisë për Zhvillim Rajonal – Lindje. Në këtë takim ishin pjesëmarrës kryetarët e Komunave të Ferizajt, Vitisë, Kamenicës dhe Novobërdës.

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka bërë të ditur se ky takim është mbajtur për të ndarë përvojat dhe për shtuar bashkëpunimin në mes komunave për parandalimin e përhapjes së pandemisë Covid-19.

“Ne kemi trajtuar masat komunale dhe ndërkomunale për trajtimin e kësaj sëmundje. Jam jashtëzakonisht i lumtur për një bashkëpunim të veçantë.  Ky takim me komunat e lindjes është një shembull i mirë që duhet marrë. Ne përfaqësojmë gjysmën e zonës kufitare të Kosovës, në kuadër të bashkëpunimit po mundohemi të parandalojmë përhapjen e pandemisë”, ka thënë Haziri.

Ndërsa Kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu, deklaroi se pademia Covid-19 nuk është duke njohur kufijë lokal por as edhe nacional sipas tij është i domosdoshëm bashkëpunimi.

“Edhe ditët në vijim janë ditë sfiduese kërkojnë shtimin e solidaritetit”.

“Komuna e Ferizajt dhe e Gjilanit janë më të mëdha ne ne do t’i mbështesim komunat e vogëla të këtij regjioni”, ka thënë Aliu.

Kryetari i Komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati, pas këtij takimi tha se Covid-19 është sëmundje e panjohur dhe se nga veprimet dhe ballafaqimet ndaj saj do të mësojnë.

“Covid-19 është shfaqur edhe në komunën tonë. Kemi mësuar shumë nga të gjitha komunat që kanë raste me këtë pandemi. Këtë organizim duhet ta reflektojnë edhe komunat tjera”, ka thënë Kastrati.

Kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti, ka bërë thirrje që këto komuna të ndihmohen më shumë nga institucionet qendrore.

“Ky koordinim është shembull për të gjitha komunat tjera. Komunat që janë futur në izolim kanë nevojë për pako ushqimore, higjienike dhe barna esenciale”, deklaroi Haliti.