12:39 / E Martë, 26 Maj 2020 / indeksADMonline

Thaçi: Qeveria deri tani pati qasje joserioze dhe të dështuar sa i përket rimëkëmbjes ekonomike

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi ka vizituar sot Odën Ekonomike të Kosovës.

Pas kësaj vizite, Thaçi u deklarua para mediave ku tha se kjo kohë është aspak e lehtë për vendin, institucionet dhe shoqërinë.

Sipas Thaçit duke punuar bashkë do të mundësohet edhe rimëkëmbja ekonomike në vend.

“Si president i falënderoj të gjithë mjekët, infermierët e të gjithë stafin e mjekësisë që kanë bërë një punë të shkëlqyer për t’u përballur suksesshëm me pandeminë COVID-19, prandaj është një falënderim dhe mirënjohje që duhet të shkojë çdoherë nga të gjitha institucionet e vendit, nga qytetarët për punën e mrekullueshme e profesionale dhe heroike. Pasi që edhe Kosova sikur vendet tjera të rajonit gradualisht, por suksesshëm po e kalon këtë situatë emergjente, natyrshëm shtrohet obligimet para të gjithë neve, si institucione të vendit, të gjithë mekanizmave kosovare dhe shoqërisë civile e mediave të rikthehemi në ripërkushtim maksimal për rikthimin e jetës sa më normale, por në veçanti për rimëkëmbjen ekonomike”, tha Thaçi, shkruan Indeksonline.

Presidenti Thaçi theksoi se do të punojnë të gjithë bashkërisht sepse është jetike që të nxjerrët një pako e plotë, e qartë dhe e nevojshme në përputhshmëri me interesat dhe nevojat e biznesit.

“Në mënyrë  që të kemi rikthim të ekonomisë, gjithashtu drejtpërdrejtë të kemi interesim të veçantë për sektorin privat, për kujdesin që duhet të vazhdohet të tregohet ndaj punëtorëve, që të vazhdojë prodhimi, dhe të shohim edhe gjithë masat tjera që mund t’i ndërmarrim si institucione  me angazhim të përbashkët, në spektrin politik në mënyrë që të kemi një sukses edhe në të ardhmen.Për fat të keq deri tani kemi pasur qasje jo serioze dhe të dështuar të Qeverisë së Kosovës sa i përket rimëkëmbjes ekonomike, por duhet të vazhdohet edhe me implementimin e plotë të gjitha investimeve kapitale që kanë qenë dhe për investime e tjera që janë të domosdoshme për vazhdimin e zhvillimit ekonomik, për krijimin e  vendeve të reja të punës dhe rritjen  e mirëqenies së qytetarët. Besoj se bashkërisht mund t’ia dalim”, shtoi Thaçi./Indeksonline/