Toyota ruan fronin global/ Liderja e shitjeve të automjeteve për të shtatin vit radhazi
Toyota ka konfirmuar dominimin në tregun global të automjeteve, duke u renditur sërish si prodhuesi më i madh në botë për nga shitjet gjatë gjysmës së parë të vitit 2026.
Prodhuesi japonez shiti 5.39 milionë automjete në gjashtë muajt e parë të vitit, duke lënë pas rivalin gjerman Volkswagen, i cili realizoi rreth 4.13 milionë shitje.
Pavarësisht ruajtjes së vendit të parë, shitjet e grupit Toyota ranë me 2.8% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Rënia u ndikua kryesisht nga kërkesa më e dobët në Kinë dhe rritja e çmimeve të karburanteve në sfondin e tensioneve në Lindjen e Mesme.
Edhe prodhimi global i kompanisë pësoi një rënie të lehtë, duke u ulur me 0.3% në 5.51 milionë automjete, ndërsa eksportet nga Japonia drejt Lindjes së Mesme ranë ndjeshëm.
Në të kundërt, shitjet e automjeteve të elektrizuara u rritën me 9.1%, duke arritur në 2.71 milionë njësi. Shitjet e automjeteve tërësisht elektrike me bateri pothuajse u trefishuan, duke arritur në 193,170 njësi, një rekord për gjysmën e parë të vitit.
Me këto rezultate, Toyota vazhdon të mbajë kreun e industrisë globale të automjeteve për të shtatin vit radhazi.

