09:49 / E Premte, 27 Korrik 2018 / indeksADMonline

Treshja oligarkike ishin përgjuar, Akan Ismaili mashtroi institucionet vendore dhe amerikane

Tre hisedarët më të fuqishëm të oligarkizmit në Kosovën e pasluftës, Ekrem Lluka, Bujar Musa dhe Akan Ismaili, i lidhin shumë fije politike dhe biznesore në vendin tonë. Kur ishte emëruar ambasador i Kosovës në SHBA, për Akan Ismailin ishte folur shumë, por deri më tash kurrë nuk ishte sqaruar pse ky mik i oligarkëve të listës së zezë amerikane, Ekrem Llukës dhe Bujar Musës, u shkarkua nga të qenit ambasador atje?

IndeksOnline mëson se ishin tri arsye kryesore që kishin çuar deri të shkarkimi i tij si ambasador. Arsyeja e parë: Kishte paraqitur rrejshëm identitetin kombëtar, nga pjesëtar i komunitetit turk i një lagjeje të Gjilanit, në shqiptar me dokumente të falsifikuara. Arsyeja e dytë: Akan Ismaili kishte gënjyer autoritetet qeveritare se kishte të përfunduar Fakultetin e Teknologjisë Informative, por më vonë ishte vërtetuar se nuk e kishte të përfunduar as shkollën e mesme. Ai më herët kishte punuar si kamarier në disa kafe të Gjilanit, kurse më pas edhe si kabllolidhës i internetit në grupin “Koha”.

Sipas disa gazetarëve që dikur i kishin shërbyer Surroit, ai vetë e kishte dëbuar nga puna, me dyshime për hajni. Por, ndër të tjera, thuhet se Surroi më së shumti ishte nevrikosur me Akan Ismailin, kur ky i fundit e kishte marrë guximin që të shkonte në zyrën e tij dhe t’i ofronte partneritet biznesor me telefoninë mobile. Afera dhjetëra milionëshe “IPKO” është më e rënda dhe më madhja në dy dekadat e Kosovës si shtet. Por, krimi më i madh është kur vetë drejtësia e Kosovës e hesht këtë dhe mundohet ta fshehë, ndonëse në duart e veta ka fakte të pakontestueshme për zbardhjen e tërësishme të mashtrimit të treshes oligarkike: Lluka, Musa dhe Ismaili. Arsyeja e tretë: Gjatë qëndrimit të Akan Ismailit në Uashington, ai më shumë ishte marrë me zgjerimin e aktiviteteve biznesore, se me kryerjen e përgjegjësive si ambasador i Kosovës.

Duke e hetuar aktivitetin e tij të jashtëligjshëm, Uashingtoni mësohet se i kishin kërkuar urgjentisht Qeverisë së Kosovës shkarkimin e Ismailit, duke mbyllur kështu çdo mundësi të komunikimit dhe bashkëpunimit edhe me të pandarin e dy oligarkëve të tjerë, Ekrem Llukës dhe Bujar Musës, tanimë të përjashtuar të Uashingtonit. IndeksOnline mëson se autoritetet ndërkombëtare i kishin përgjuar një kohë të gjatë dhe kishin regjistruar edhe biseda të gjata të Akan Ismailit me Bujar Musën, duke u koordinuar për zgjerimin e bizneseve edhe me njerëz të tjerë në drejtime inkriminuese, brenda dhe jashtë vendit.

Nga burime të afërta me të tre këta oligarkë, Ekrem Lluka është i vetëdijshëm se ishin po Bujar Musa dhe Akan ismaili, më herët, në vitet 2005-2007, që e kishin denoncuar atë tek Ambasada e SHBA-së me materiale dhe dëshmi inkriminuese. Mirëpo, më vonë, i mësuar me këto dredhi, edhe vetë Ekrem Lluka po ashtu ua kishte bërë të njëjtën gjë dhe me fakte e dëshmi i kishte denoncuar Musën dhe Ismailin në Ambasadën e SHBA-së në Shkup, në përpjekje për ta shpëlarë veten nga “mëkatet”. Ndërsa, sot, rezultati i tërë kësaj është: dy oligarkë në listën e zezë të SHBA-së, kurse i treti duke u hetuar dhe me mundësi potenciale për ngrirjen dhe konfiskimin e pasurive shumëmilionëshe.

IndeksOnline mëson se në njërën prej bisedave të regjistruara nga përgjimet, Akan Ismaili dhe Bujar Musa flasin edhe për mundësitë e fshehjes së pagesës prej 15 milionë euro si garancion bankar, e cila vazhdon të jetë ende borxh i tyre ndaj buxhetit të Kosovës. Por, vazhdon të jetë ende shumë e dyshimtë pse Qeveria e Kosovës po hesht ndaj këtij borxhi dhe pse Kuvendi i Kosovës ende nuk e ka themeluar një Komision Hetimor për këtë çështje?! Këta tre oligarkë listëzezë kanë kapur shumë politikanë dhe bartës institucionesh, por për të mos interferuar në hetime, IndeksOnline edhe disa ditë po rezervohet nga publikimi i disa dëshmive rreth këtyre tre oligarkëve, që do ta trondisin tërë opinionin publik. /IndeksOnline/