15:30 / E Mërkurë, 18 Tetor 2017 / indeksADMonline

Vazhdon gjyqi për rastin Medicus: Dëshmitari thotë se klinika ia falsifikoi nënshkrimin për transplant veshkash

Rasti i njohur si “Medicus” i cili ka sjellë imazh te keq në aspektin e shëndetësisë kosovare, pikërisht për shkak të një mjeku, i cili akuzohet për trafikim të organeve që bëheshin në klinikën e tij, është duke vazhduar që nga viti 2008 e deri tani.

Flamur Bogaj me profesion avokat, sot në cilësinë e dëshmitarit, u ballafaqua me disa dokumente që kishin lejuar transplantim të veshkave në këtë klinikë, e në të cilat figuronte nënshkrimi i tij. Megjithatë, ai para trupit gjykues të EULEX’it se mohoi se ka nënshkruar dokumentet që lejonin transplantim veshkash, derisa tregoi për miqësinë me mjekun monstrum Lutfi Dervishi.

Avokati Flamur Bogaj nuk dukej në presion deri sa po dëshmonte në ri-gjykimin e rastit “Medicus”, për pronarët e së cilës klinikë ai edhe sot ruan një simpati. Por, ai denoncoi se për nevoja të kësaj klinike nënshkrimi i tij ishte falsifikuar.

Këto dokumente që mbanin logon e klinikës “Medicus”, figuronte nënshkrimi i avokatit Bogaj, për të cilat nënshkrime ai i mohoi se i kishte bërë, kishin si përmbajtje lejimet e transplanteve të veshkave të personave të ndryshëm.

Kështu, të mërkurën, si pjesë e këtij procesi gjyqësor, u dëgjua edhe dëshmia e tij. U dëgjuan përvojat e avokatit Bogaj me klinikën “Medicus” dhe me vet mjekun e dënuar me 8 vite burg, urologun Lutfi Dervishi.

Urologu, Lutfi Dervishi ishte dënuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë me 8 vjet burg në vitin 2013, ndërsa Sokol Hajdini me 3 vjet burg. Rikthimi i këtij rasti në proces gjyqësor u bë pasi Gjykata Supreme kërkoi rigjykimin e “Medicus”.

Mjeku Lutfi Dervishi akuzohet se ka kryer trafikim të organeve dhe krim të organizuar, ndërsa, Sokol Hajdini akuzohet për lëndim të rëndë trupor.

Gazeta Express ka qëndruar sot në seancën gjyqësore të rastit “Medicus”, në të cilin ishin të pranishëm të akuzuarit Lutri Dervishi dhe Sokol Hajdini, bashkë me avokatët e tyre mbrojtës.

Për këtë klinikë, një rrëfim me dëshminë e tij e ka dhënë edhe dëshmitari, e që me profesion është avokat, Flamur Bogaj. Ai ka rrëfyer para trupit gjykues se kishte dërguar djalin e tij 4-vjeçar në këtë klinikë, për të cilin pretendon se ishte në rrezik për jetë. Ai gjithashtu tha për mjekun Lutfi Dervishi se “po të dilte edhe nesër nga burgu, sërish do të konsultohesha me të për gjëra urologjike”.

“E njoh Lutfi Dervishin, po ashtu siç e njohin të gjithë në Kosovë, pasi është doktor i lamisë së vet. Gjithashtu, unë kam pas përvojë me kontroll urologjike tek ai, por jo për vete, por për djalin 4-vjeçar”, tha dëshmitari. Ai gjithashtu tha se kishte shkuar për konsultë 2-3 herë në këtë klinikë.

Pjesë e këtij gjykimi ishte edhe Arban Dervishi, djali i Lutfi Dervishit, por procedura ndaj tij është veçuar, ngase ai ndodhet në arrati.

E për Arban Dervishin, dëshmitari tha nuk e njeh personalisht, por shtoi se e njeh gruan e të akuzuarit, e cila ndodhej në sallë në gjykimin e së mërkurës.

Në gjykimin e sotëm, prokurorja e EULEX shpalosi edhe disa dokumente në të cilat figuronte nënshkrimi i dëshmitarit Flamur Bogaj. Dokumentet e prezantuara nga prokuroria ishin të një komisioni të etikës të formuar të klinikës “Medicus”.

Dokumenti i parë i shpalosur nga prokuroria, i cili u regjistrua si provë nga gjykatësja e EULEX’it, ishte i datës 19 qershor të 2008’ës. Dokumenti, ishte formë e aprovimit të transplantit të veshkës, i cili mbante edhe logo e klinikës famëkeqe “Medicus”. Në këtë dokument thuhej se Josef Samir deklaroi dëshirën e tij që ta dhurojë veshkën e tij.

Në këtë dokument, pos që ishin nënshkrimet e anëtarëve të këtij komisioni të etikës që i ka caktuar vetë klinika, figuronte edhe nënshkrimi i dëshmitarit Bogaj.

Megjithatë, Bogaj u deklarua se nënshkrimi që figuronte në dokument në emër të tij, nuk është i tij.

“Nuk është nënshkrimi im, jam i sigurt”, tha Bogaj, derisa u pyet nga prokurorja se a ka qenë pjesë e këtij komisioni të etikës.

Prokurorja shpalosi edhe një dokument tjetër të tillë, që daton nga 2 korriku i 2008’ës. Në atë dokument të ngjashëm, thuhet se për një person tjetër është lejuar transplantimi i veshkës nga ky komision i etikës.

Në të njëjtin dokument, ishte prapë nënshkrimi i këtij dëshmitari Flamur Bogaj, i cili tha se është shokuar kur e ka parë nënshkrimin e tij në atë dokument dhe tha se ai nuk ka nënshkruar dokument të tillë.

“Nënshkrimi im daton para 30 viteve, dhe i njëjti nënshkrim është në të gjitha dokumentet që unë i kam pas në dorë gjatë karrierës sime, ai nënshkrim nuk është i imi, ndërsa nuk e kam parë aspak të arsyeshme që t’i pyes dikë nga familja Dervishi ose këdo nga klinika se pse ky nënshkrim është në këto dokumente, pasi këtë gjë ia kam lënë në dorë ekspertëve të grafikimit, të cilët besoj se i kanë dhënë rezultatet e tyre”, tha dëshmitari, kur u pyet nga prokurorja se a e ka autorizuar dikë brenda klinikës “Medicus” që ta përdorë emrin ose nënshkrimin e tij në dokumentet e kësaj klinike.

Mirëpo, në një dokument tjetër të shpalosur nga prokurorja e cili datonte më 30 tetor të 2008’ës, dëshmitari pranoi se kishte nënshkruar një dokument/kontratë për shitblerje të një prone të paluajtshme. Në këtë seancë nuk është sqaruar plotësisht se pse prokuroria ka vendosur këtë dokument në listën e provave, edhe pse u tha se ky dokument lidhet me klinikën “Medicus”.

Për këtë dokument, dëshmitari pranoi se ka nënshkruar një gjë të tillë, duke deklaruar se ai kishte nënshkruar përpilimin e asaj kontrate, derisa kushtet i diktojnë vetë blerësi ose shitësi – varësisht nga kontrata. Ky dokument u vërtetua si provë nga gjykatësja e EULEX’it.

Dëshmitari gjithashtu tregoi se sa herë e ka dërguar djalin e tij për konsultë në klinikën “Medicus” kishte qëndruar në bodrum të klinikës, gjegjësisht në anën e djathtë të saj.

Gazeta Express në vitin 2014, ka bërë një hulumtim për këtë ekip famëkeq të Medicus’it, të cilët shkatërruan imazhin e Kosovës.

Në vitin 2013, Gjykata Themelore e Prishtinës, në bazë të këtij procesi të udhëhequr nga EULEX’i, i njohur si rasti “Medicus”, pati shpallur fajtor urologun Lutfi Dervishi, dhe djalin e tij Arban Dervishin si dhe të punësuarin tjetër në këtë klinikë, Sokol Hajdinin. Këta ishin akuzuar për përfshirje në trafikim dhe transplantim të paligjshëm të organeve në Kosovë në vitin 2008.