Vdiq Leonard Kurti, drejtor i Klinikës së Biokimisë në QKUK
Është ndarë nga jeta Leonard Kurti, specialist i Biokimisë Klinike dhe drejtor i Klinikës së Biokimisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).
Lajmin për vdekjen e tij e ka bërë të ditur Oda e Farmacistëve të Kosovës, e cila ka shprehur pikëllimin e thellë për humbjen e kolegut dhe anëtarit të saj, shkruan IndeksOnline.
Në telegramin e ngushëllimit, Oda e Farmacistëve ka vlerësuar lart kontributin profesional të Kurtit, duke theksuar se ai i shërbeu komunitetit shëndetësor me përkushtim, profesionalizëm dhe dinjitet.
Po ashtu, kjo odë ka shprehur mirënjohje për bashkëpunimin e tij të vazhdueshëm institucional dhe mbështetjen ndaj sektorit farmaceutik.
“Gatishmëria e tij për të ndihmuar, korrektësia dhe mikpritja e treguar ndaj anëtarëve të Odës do të kujtohen gjithmonë me respekt të veçantë”, thuhet në reagim.
Ceremonia e meshës për Leonardin do të mbahet nesër, më 1 nëntor, në orën 14:30 në Ferizaj, ndërsa varrimi do të bëhet në orën 15:00, në Varrezat e Qytetit në Ferizaj.

