10:43 / E Martë, 14 Korrik 2020 / Blerim

Vit i rëndë ekonomik për Kosovën, 53 milionë euro më pak nga doganat

Qytetarët e vendit tonë tash e pesë muaj po vazhdojnë të ballafaqohen me pandeminë COVID-19. Derisa numri i të të infektuarve ka shkuar në mbi 5000, një situatë kjo mjaft delikate, e cila po shihet ende me rrezik jo vetëm në fushën e shëndetësisë, por ndikim të madh ka pasur edhe në atë ekonomik.

Goditja më e madhe shkon në sektorin privat, ku ende s’ka të dhëna zyrtare për humbjet që kanë pësuar, por as për numrin e qytetarëve që kanë humbur punën. Në anën tjetër, pjesa e dytë e ndihmës nga shteti, ajo e Pakos Emergjente ende nuk është ekzektuar, çka ka ngjallë edhe reagime të shumta.

E pandemia, ka ndikuar dukshëm edhe në në të hyrat doganore në Kosovë, ku pati ulje. Këtë e ka konfirmuar për Indeksonline, Zëdhënësi i Doganës së Kosovës, Adriatik Stavileci.

Sipas të njëjtit në periudhën e njëjtë kohore në krahasim me atë të vitit të kaluar, gjegjësisht në gjashtë mujorin e parë të vitit 2019 kishte 53 milionë euro të hyra më shumë sesa në gjashtë mujorin e parë të 2020-tës.

“Gjatë këtij vitit (janar – qershor) kemi mbledhur 473 milionë, derisa gjatë vitit të kaluar kishim 526 milionë. Gjatë periudhës raportuese 2019 – 2020 për të gjitha regjimet e importit, taksat kanë shënuar ulje në shumë prej shumë prej ▼52.472.255,56 ose shprehur në përqindje ▼9,97%, tha Stavileci.

Kujtojmë se para një jave, Qeveria e Hotit, riktheu edhe disa masa për parandalimin dhe përhapjen e pandemisë, përfshirë edhe kufizimin e lirë të lëvizjes nga 21:00 – 05:00 në katër komuna, ato të cilat shënuan rritje të numrin e të të prekurve, përfshirë Prishtinën, Prizrenin, Vushtrrinë dhe Ferizajn. Ndërsa nga sot hyn në fuqi vendimi edhe për karantimin edhe të katër komunave të tjera, Gjilan, Mitrovicë e Jugut, Fushë – Kosovë dhe Shtërpcë.

Po ashtu, ka 7 ditë që edhe gastronomia u prek nga vendimi i ri i Qeverisë, ku nga pra 21:00 – 05:00 ndalohen të gjitha shërbimet. Gjithashtu nga sot edhe çerdhet publike e private janë mbyllur, ndërsa vendosja e maskave është bërë obligative, në të kundërtën janë paralajmëruar edhe gjobat deri në 500 euro./Indeksonline