75 Mall Live Search
12:32 / E Martë, 09 Dhjetor 2025 / H F

Vlerësohet lart nga analistët puna katërvjeçare e Abelard Tahirit si shef i grupit parlamentar

Të dielën, partitë politike kanë bërë publike listat me emrat e kandidatëve për deputetë për zgjedhjet nacionale që do të mbahen, më 28 dhjetor.

Gjatë komentimit të personaliteteve të përfshira në këto lista, analistët në kuadër të emisionit “Pressing” në T7, e kanë vlerësuar vendimin e Abelard Tahirit për t’u tërhequr nga dhjetëshja e parë që t’ua lëshonte rendin për kandidatëve të rinj.

Analisti Dukagjin Gorani është shprehur se kjo logjikë do të duhej të dominonte te të gjithë ata që janë angazhuar në politikë për një kohë të gjatë.

“Tahiri, i cili është përgjatë viteve një figurë emblematike, sado i ri në moshë, ai e ka një karrierë politike, ka qenë ministër, deputet, shef i grupit parlamentar 5 vjet. Ai e ka prodhuar një personazh dhe një personalitet publik, për të cilin numri në listë nuk ka ndonjë rëndësi”, ka thënë Gorani.

“Ky ka qenë një shembull shumë i mirë i Abelardit, i cili po ashtu ka qenë staf i Hashim Thaçit, disa herë deputet, ministër i drejtësisë, i pari ministër që ka marrëveshje me Amerikën”, ka shtuar vlerësuar analisti Valon Syla.

Edhe Ilir Mirena ka thënë se vendimi i Tahirit për të qenë i 110-i është sakrificë personale.

“Si kryetar i grupit parlamentar ka qenë jashtëzakonisht aktiv. Ne i dimë krejt ato rastet në Gjykatën Kushtetuese dhe e dimë që shefat e grupeve parlamentare janë njerëzit më të atakuar prej pushtetit. Edhe ky ka qenë jashtëzakonisht i atakuar, madje në mënyrën më të ulët”, ka theksuar ai.

Ndërsa, analisti Imer Mushkolaj, në emisionin “Debat plus”, në RTV Dukagjini ka thënë se e çmon veprimin e ish-shefit të grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri për t’u tërhequr nga dhjetëshja e parë.

Mushkolaj e ka cilësuar këtë veprim të Tahirit si shumë fisnik, marrë parasysh ngarendjen e kandidatëve në përgjithësi për të garuar me numër sa më lart në listë.

“Atë që e ka bërë z. Tahiri nuk e shohim shpesh. Njerëzit bëjnë luftë me hy në dhjetëshe, e dimë krejt. Kështu që veprimin e z. Tahiri unë e vlerësoj si një veprim shumë fisnik, për shkak se megjithatë iu ka lënë hapësirë disa personave tjerë”, ka thënë ai.

Ndërsa, analisti Visar Ymeri ka thënë se ky veprim i Tahirit e ndihmon edhe partinë kundrejt kërkesave irracionale që mund të pranojë.

“Ky është gjest i jashtëzakonshëm dhe për këtë e vlerësoj shumë. Më jo falënderuese dhe e vështirë se me bë listë në një parti politike, cilëndo, nuk ka. Krejt partitë politike e kanë problemin e njëjtë kur bëhet renditja e listave, sepse secili mendon që duhet me qenë në dhjetëshen e parë dhe i ka arsyet e veta”, ka theksuar Ymeri.