15:31 / E Mërkurë, 23 Tetor 2019 / indeksADMonline

Votat e ardhura nga Serbia u cilësuan të parregullta, por KQZ është duke i shqyrtuar dhe vlerësuar ato!

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka filluar sot me shqyrtimin dhe vlerësimin e zarfeve të supozuara me fletëvotime që kanë ardhur nga Serbia, e që gjithsej llogaritet të jenë rreth tre mijë.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi ka thënë se ky vlerësim është i domosdoshëm pasi ka për qëllim të identifikojë një fletëvotim me personin që e ka dërguar pakon.

“Pra, që ta dijmë nëse fletëvotimi i dërguar është nga një votues i regjistruar suksesshëm si votues jashtë vendit. Pasi të bëhet ky vlerësim, do ta dijmë saktë se sa është numri i fletëvotimeve të aprovuara apo të refuzuara. Vetëm fletëvotimet e aprovuara numërohen”, ka thënë Elezi.

Për këtë proces, ai thotë se janë në kontakt dhe bashkëpunim me institucionet tjera.

Votat e ardhura nga Serbia ishin cilësuar si jo të rregullta nga anëtarët e KQZ-së gjatë një mbledhje të mbajtur ditë më parë.

Derisa të gjitha partitë shqiptare u deklaruan se janë kundër pranimit të atyre votave, ishin vetëm përfaqësuesit e serbëve që kërkuan të pranohen.

Anëtari i LDK-së në KQZ, Sami Hamiti, kishte thënë se duhet të respektohet ligji në rastin e këtyre votave.

“Votat nga Serbia kanë ardhur në Kosovë totalisht jashtëligjshëm, ligji e përcakton që duhet me postë. Njësia duhet ta zbatojë ligjin. Janë afate dhe është ligj. Votat që vijnë duhet ta kenë vulën e shtetit nga kanë ardhur. Ato vota po shihen që janë të fabrikuara”, tha ai.

Respektim të ligjit kishte kërkuar edhe anëtari i PDK-së në KQZ, Ilir Gashi.

“Unë mendoj që ligji e thotë qartë mënyrën dhe procesin si zhvillohet votimi nga diaspora, kur vijnë votat. Unë kërkoj nga njësia përkatëse që të respektohet vetëm ligji dhe edhe ne edhe njësia do të dalim mirë”, tha ai.

Kundër pranimit të zarfeve të ardhura nga Serbia ishte deklaruar edhe anëtari i LVV-së në KQZ, Adnan Rrustemi.

Ndërkohë Valdete Daka, kryetare e KQZ-së kishte thënë se pret që të respektohet ligji.

“Unë pres nga njësia që të zbatohet ligji”, tha ajo.

Ndërsa sot kur u raportua se KQZ po verifikon zarfet e ardhura jashtëligjshëm nga Serbia, kanë shpërthyer reagime të shumta të zyrtarëve dhe qytetarëve në rrjetet sociale./Indeksonline/