13:48 / E Hënë, 06 Korrik 2020 / indeksADMonline

Zemaj, kërkon zbatim të menjëhershëm të masave të Qeverisë kundër Covidit-19

Ministri i Shëndetësisë Armend Zemaj kërkoi sot nga institucionet përgjegjëse në vend që të zbatojnë me përgjegjësinë më të lartë vendimet e marra në mbledhjen e djeshme të Qeverisë së Republikës së Kosovës, të cilat kanë hyrë sot në fuqi.

“Secili institucion ta japë maksimumin, pavarësisht se e kuptojmë që zgjatja e kësaj situate ka krijuar edhe lodhje dhe ngarkesa më të mëdha, por është situatë emergjente e shëndetit publik dhe duhet të sillemi me shumë përgjegjësi”, tha Zemaj në takimin e Komitetit për vlerësimin dhe koordinimin e situatës për Covidin-19.

Ai tha se konform vendimeve të Qeverisë nga sot ka filluar riorganizimi i kapaciteteve spitalore dhe shtimi i shtretërve, fuqizimi i personelit me profesionistët e rekrutuar nga Ministria e Shëndetësisë, në mënyrë specifike në degët si Mikrobiologjia, Infektologjia dhe shërbimet e tjera të ndërlidhura me rastet e Covidit-19, ndërkohë që gjatë javës, MSH-ja do t’i prezantojë për miratim Qeverisë edhe Planin e veprimit për procedurat e testimit për Covid-19 në Kosovë.

Ai ka kërkuar nga inspektoratet dhe autoritetet e tjera relevante që t’i monitorojnë dhe zbatojnë  vendimet lidhur me kufizimet e qarkullimit në katër komunat e Kosovës: Prishtinë, Ferizaj, Prizren e Vushtrri, sikurse edhe sektorin e gastronomisë për të cilin janë vënë kufizime në nivel vendi.

“Monitorimi duhet të bëhet edhe në komunat e tjera”, tha ai duke shtuar se kufizime mund të vendosen edhe në komuna të tjera, apo të hiqen varësisht prej situatës epidemiologjike në vend lidhur me Covidin-19.

Masat e marra u vlerësuan si të domosdoshme nga Komitetit… për të ndikuar që pas një kohe të zvogëlohet numri i rasteve pozitive dhe ajo që është më indikative, për të ulur numrin e rasteve që përfundojnë me vdekje.

Në këtë takim, u kërkua që secili institucion të raportojë brenda javës për zbatimin e vendimeve të fundit të Qeverisë, lidhur me masat kundër Covidit-19.