20:13 / E Martë, 19 Qershor 2018 / indeksADMonline

Arrestohet bosi i ‘Kobra City’-t në Prizren pas disa ditë arratie

Dibran Hoxha, i njohur si pronari i “Kobra City”-t në Prizren është arrestuar sot nga Policia e Prizrenit.

Hoxha ka qenë në kërkim policor prej ditës së shtunë pasi që i kishte shkaktuar lëndime të rënda trupore personit H.B., babai i një ish-punëtori të “Kobra City”, një lokali nate në Prizren.

Lajmin për arrestimin e Hoxhës e ka konfirmuar Admir Shala, kryeprokuror i Prizrenit.

“Sot është arrestuar dhe nesër është seanca për caktimin e masës së paraburgimit”, tha Shala.

Siç ka marrë vesh KALLXO.com, personi H.B. ishte sulmuar me stupca dhe mjete të mprehta si thika dhe të ngjashme në terë trupin.

Lokali “Kobra City” është i njohur për shkak të valltares Donjeta Kasumi, e njohur me nofkën “Kallashi”.

Në shtator 2015, emisioni “Drejtësia në Kosovë” ka trajtuar rastin e ngatërresave të Dibran Hoxhës me njerëz të ndryshëm dhe problemet e tij me drejtësinë.