13:43 / E Hënë, 19 Shkurt 2018 / indeksADMonline

Dëshmon Ziadin Sela: Donin të më vrisnin

Deputeti dhe lider i Aleancës për Shqiptarët Ziadin Sela sot në Gjykatën Penale ka dëshmuar për dhunën e ushtruar ndaj tij në Kuvend më 27 prill të vitit të kaluar.

Ai sot në gjykatë u përball me dhunuesit e tij ku ka treguar ndodhinë e asaj dite të përgjakshme.

Sela ka treguar gjithë ndodhinë e asaj dite, nga momenti i parë i futjes së turmës deri te tentimi për eliminimin fizik të tij, dhe humbjen e ndjenjave.

“Arrita në Kuvend në orën 12:00, në orën 16:00 u largova dhe u ktheva përsëri në orën 18:00. U ktheva përsëri në sallën e seancës plenare, pas seancës ikëm në sallën e konferencave ku kryetari i Kuvendit duhej të jepte deklaratë. Në fillim isha në korridor bashkë më Surija Rashidin dhe Vesel Memedin, afër ishte Xhevat Ademi. Përnjëherë u dëgjua zhurmë dhe mu duk sikur një grup njerëzish u fut brenda në sallën e Kuvendit. Në atë moment hymë në sallë, në kohën që po fliste Talati dikush mbante derën me forcë, dera u hap përnjëherë.  Turma  u fut brenda, unë isha në skaj në anën e majtë të foltores. Pran meje ishin Surija Rashidi dhe Rexhail Ismaili, në anën e djathtë ishte Zoran Zaevi dhe deputetët e tjerë. Turma vinte drejt nesh, Rashidi dhe Ismaili tentonin të më mbronin. Atmosfera ishte shume e keqe, kishte kërcënime me jetë, ‘shitës’, ‘do t’iu mbysim’, kam dëgjuar edhe kërcënime ndaj meje si: ja Sela, ku do të shkosh tani, do të mbysim. Gjatë gjithë kohës hidheshin mjete të forta ndaj deputetëve, mbaj mend mend se një tavolinë dhe një ekran më kanë ra në kokë. Më pas edhe një goditje me shtizë, sulme kisha gjatë gjithë kohës, kishte edhe me maska. Njëri ma bënte me dorë ndaj meje, i thash Rashidit se nuk mund të dal, nuk kishte deputet pranë meje për të më mbrojtur ato 10-15 minuta. Kur dolën deputetët, turma u afrua ndaj meje dhe disa më goditën, më kapën për koke dhe më goditën përsëri, por fillimisht u largova . Goditja me ekran më bëri që të humb orientimin dhe kisha mungesë oksigjeni, nuk kishte persona nga turma që kishin qëllim të më shpëtonin. Mbaj mend një moment që njëri nga truprojat ka shtënë me armë, në atë moment situata u qetësua disi”, ka thënë ai, derisa është pyetur nëse i kujtohet fytyra e ndonjërit prej personave që u drejtuan nga ai.

“Nuk  njoh asnjë dhe nuk e mbaj mend as emrat. Mbaj mend njërin me mjekër me maic të zezë dhe shante, një tjetër ishte me syza në kokë dhe jelek lëkure afër meje ishte edhe Gjorcev që tentonte të ndalte turmën, kam dëgjuar ejani, Sela. Momenti i fundit mbaj mend që rashë në tokë, nuk e di si kam shkuar deri aty dhe mbaj mend që sapo rashë filluan të më godasin nga koka dhe trupi”, tha ai.