18:55 / E Hënë, 11 Qershor 2018 / indeksADMonline

Haradinaj s’komenton për vendimin e Kushtetuesës

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka mohuar të ketë njohuri për vendimin e Gjykatës Kushtetuese e cila ka hedhur poshtë ankesën e deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje, duke marrë vendim që ngritja e pagave për kabinetin qeveritar nuk është në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës.

Haradinaj nuk ka dashur të komentojë lidhur me këtë çështje, duke thënë se ende nuk e ka dëgjuar lajmin.

“Hala nuk e kam dëgjuar lajmin, po kam dëshirë ta ruajmë porosinë për këta të rinj dhe të reja”, tha ai.

Ai këto komente i bëri me rastin e vizitës në Qendrën Inovative të Kosovës (ICK), ku u njoftua nga afër me punën që bëhet aty.

Haradinaj vizitoi të gjitha hapësirat e punës në ICK, derisa shprehi gatishmëri që si qeveri të mbështesin ndërmarrësit e ri.

I kënaqur me ato që pa në ICK, Haradinaj tha se angazhime të tilla, inovative dhe krijuese, janë shumë të mira për Kosovën.

Ndërsa drejtori i ICK-së, Uranik Begu, e quajti lajm të mirë premtimin e kryeministrit për të ndihmuar ndërmarrësinë në vend.