12:22 / E Enjte, 04 Janar 2018 / indeksADMonline

Haradinaj: Unë isha i gatshëm, por deputetët e VV-së u vonuan (Video)

Gjykata Themelore e Prishtinës dje ka dënuar me kusht katër deputetët e Vetëvendosjes të cilët hodhën gaz lotsjellës në Kuvendin e Kosovës. Kështu sipas vendimit, Albin Kurti e Donika Kadaj Bujupi u dënuan me nga 1 vit e gjashtë muaj burg, Albulena Haxhiu me 1 vite 3 muaj dhe Faton Topalli me 1 vit e dy muaj.

Lidhur me gazin lotsjellës, një grup deputetësh i Kuvendit të Kosovës vitin e kaluar mori një nismë për mbledhjen e nënshkrimeve, përmes së cilave do të kërkohej amnistimi i të gjithë deputetëve që kanë hedhur gaz në sallën ku mbahen seancat plenare, shkruan Indeksonline.

Një gjë të tillë e kishte kërkuar edhe kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj nga deputetët e Vetëvendosjes.

Në një intervistë për Indeksonline, Haradinaj ka thënë se pavarësisht hedhjes së gazit, ai megjithatë  është kundër përndjekjes së tyre, kur dihet se ata kanë bërë një gjë të tillë në të mirë të vendit.

“I kam propozuar edhe deputetëve të Vetëvendosjes të përgatisin një nen për një vendim të caktuar që ka të bëj edhe me imunitetin e deputetit dhe amnistimin e veprave që janë në kundërshtim politik e që ndodhin në parlament . Ata u vonuan që me pru, unë kam qenë i gatshëm që menjëherë të marr iniciativë për këtë por u vonuan”, ka thënë Haradinaj.

Sipas tij, mirë është që në parlament me u ndërmarr një iniciativë ose t’u sugjerohet atyre që të marrin.

“Unë jam kundër përndjekjes së deputetëve për shkak të kundërshtimit të temave politike, për shembull nëse flasim për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, të cilin e ka gjetur si kundërkushtetuese vet gjykata. Ata në këtë rast kanë bërë mbrojtje të Kushtetutës, ndoshta ka tejkalime politike që unë i kuptoj, por ka logjikë të shëndoshë me vendos një standard që për kundërshtim të temave politike, i zgjedhuri i popullit nuk mund të dënohet, pra nëse nuk e ka rrezikuar jetën e të tjerëve apo nëse nuk e ka bërë ndonjë vrasje a diçka e tillë, sepse ato normal që nuk amnistohen”, ka thënë Haradinaj për Indeksonline.

Përndryshe, sic ka thënë ai, kundërshtimi politik ish dashur të amnistohet.

Kujtojmë se një gjë të tillë e kanë mbështetur edhe disa deputetë të Kuvendit të Kosovës, të cilët kanë kërkuar që nisma për miratimin e Ligjit për Amnisti të miratohet sa më parë.