14:15 / E Premte, 23 Shkurt 2018 / indeksADMonline

Ministria e Infrastrukturës jep versionin e saj për projektin e autostradës Prishtinë-Gjilan (Video)

Zv/ministri i Infrastrukturës, Rexhep Kadriu ka sqaruar sot në një konferencë të jashtëzakonshme për media lajmet për ndërtimin e autostradës Prishtinë-Gjilan.

Ai ka thënë se nuk do të lejohet që fjalët të ndikojnë në ndërtimin e rrugës në fjalë, raporton Indeksonline.

Ja fjalimi i Kadriut:

Çdo kush që ka interesat e saj personale të mos ndikoj në ndërtimin e rrugëve. Nuk do ti ndjekim ato politika do të vazhdojmë me punën tonë në aspekt profesional.

Të gjithë do të keni në duar dokumente nga shkon traseja, të cilën e kemi gjetur në gjysmë pasi kishte vetëm projekt. Nuk ka qenë i kompletuar, autostrada e Gjilanit realisht ka qenë e nevojshme, kërkesë e bizneseve që janë atje.

Ministri Lekaj e ka shtyrë këtë autostradë, këtë proces i ka dhënë shtytje. Qeveria Haradinaj me Pal Lekajn kemi dhënë maksimumin dhe përkrahjen tonë për projektin.

Kemi shpëtuar buxhetin e Republikës së Kosovës me një tender për 12 milionë euro.

Neve na duhet të bëjmë përgatitjet e fundit që në mars të fillojnë punimet, e jo të dëgjojmë fjalët që i ka pas dikush me ish-ministrin se nga do të shkoj kjo autostradë.

Pal Lekaj dhe kryeministri Haradinaj nuk e kanë prekur projektin, vetëm kanë dashur që edhe Anamorava të jetë pjesë e Kosovës.

Zërat që  i kemi dëgjuar janë dashakeqës që nuk ia duan të mirën Kosovës. Jemi zotuar që politika t’i largojnë duart nga rrugët që do të shtrohen në të ardhmen.

Kjo ndoshta do t’i pengoj dikujt, por nuk kemi çka me i bë.

Kemi informacione që ka pasur pakënaqësi për autostradën, për të cilën ka pasur edhe debate, në Gjilan, Ranillug, Kamenicë etj.

Ne jemi këtu për interesat e qytetarëve e jo për interesa personale. Ju mund të bëni kërkesë për qasje në kontrata dhe të shihni atë.