21:54 / E Shtunë, 24 Shkurt 2018 / indeksADMonline

Ministria shkel ligjin, flet (përgjigjet) në hava !

Shkruan: Agim Muhaxheri

I dolën partallet pushtetarëve të Kaçanikut, të cilët me hu në krah e në kundërshtim me ligjin i zaptuan tri ulëse në KPF. Opozitari Ekrem Raka kërkoi drejtësinë, por MAPL mori një vendim të përçudshëm, i cili çdo gjë tjetër mund të jetë, por jo i karakterit juridik.

—————————

Me hu në krah ia lidhën kryet punës. I zaptuan tri ulëse në Komitetin për Politikë dhe Finaca, i stërpikën ata të LVV dhe LDK-së, ndërkaq përfaqësuesin e IQ, Ekrem Rakën e nxorën jashtë loje. Kështu vendosën pushtetarët e Kaçanikut. Kija inatin, po hakun mos ia ha !

Ajo çfarë bënë pushtarët i ngjet lojës së fëmijëve: U ba, s’u ba, sytë i qela, kan ta shoh përmas – e vras… Raka nuk e ngriti flamurin e bardhë. Kërkoi drejtësinë në Zyren Ligjore të Ministrisë së Administratës dhe Pushtetit Lokal. Me të u solidarizuan edhe opozitarët, ai i LVV, Ekrem Kyçyku dhe Selim Reka i LDK-së. Instanca e dytë bëri politikë, nuk mori vendim juridik. Në hyrje të shkresës e ke stereotipin, shabllonin e qatipëve të administratës, shprehjen “Lënda:…”. Vendimi i saj është “ivalid”, pa formë e përmbajtje juridike. Nuk e ka pjesën hyrëse, dispozitën dhe arsyetimin. Nuk saktësohet në favor të kujt është e drejta, e pushtetit apo e opozitarit Raka. Letra (në internet) nënshkruhet në emër të ministrit Ivan Todosijeviç. Ajo (letra) nis me përshëndetjen “të nderuar”. Instanca e dytë merret me konstatime, citon nenet e LVL dhe Udhëzimit Administrativ.

Ngjet karambolli: “Lidhjani kryet punës si mundeni e si dini vetë”. Roli i Zyrës Ligjore s’është këshilldhënës ! Në KK të Kaçanikut janë të përfaqësuara 6 subjekte politike (PDK, LVV, LDK, AAK, Nisma e Iniciativa Qytetare). Kuvendi i Komunës së Kaçanikut përbëhet nga subjekte e përmendura, të cilat duhet të përfaqësohen në Komitetin e Politikës dhe Financave me nga një anëtar, plus kryesuesi i KK-së sipas detyrës. KPF i KK të Kaçanikut i ka 7 ulëse. Përse të nxirret jashtë loje IQ ? Në rastin konkret, hisen e IQ në përbërjen e KPF e garanton neni 6, pika 1 e 2 të Udhëzimit Administrativ.

MAPL e shkel nenin 6 me të dy këmbët ! E shkel Udhezimin… e vetë ! Hajmalia e Ministrisë e kënaq pushtetin, jo opozitën. Në vend të profesionistëve dalin në skenë çobanët, diletantët që s’marrin vesh në drejtësi. Ka rregulla e ligje si mund të sillet pozita. Por kur ajo i hyn në hak opozitës, në rastin konkret përfaqësuesit të IQ, Ekrem Rakës, kjo nuk ka të bëj me demokracinë. Demokracia është matematikë, si një e një që bëjnë dy. Ajo është edhe procedurë. Nuk i përmbahesh procedurës, e humb lojën. Lojën “de lege” e ka humbur pozita. Ajo mund ta fut nën sqetull KPF vetëm me kontrabandë ! E kësaj i thonë: Kadal beg se ka hendeg ! MAPL-ja del të jetë një filial partiak. Marifeti i saj në rastin e opozitës së Kaçanikut paraqet non sens juridik. Mjerë komunat në dorë të kujt kanë mbetur !