21:23 / E Enjte, 04 Janar 2018 / indeksADMonline

Pallaska: Këto janë rreziqet për Kosovën në rast të shfuqizimit të Gjykatës Speciale

Avokati i njohur, Dastid Pallaska ka reaguar pas deklaratës që kanë bërë shtetet e Quint’it ndaj pushtetarëve të qeverisë së Kosovës. Pallaska në një status në Facebook ka thënë se Kosova mund të këtë rreziqe të mëdha nëse shfuqizon Gjykatën Supreme. “Dëmi që mund të shkaktohet nga anulimi eventual i Gjykatës Speciale nuk kufizohet vetëm në përkeqësimin e raporteve të vendit me aleatët kyç”.

Reagimi i plotë:

Dëmi që mund të shkaktohet nga anulimi eventual i Gjykatës Speciale nuk kufizohet vetëm në përkeqësimin e raporteve të vendit me aleatët kyç.

Në rast se kalon vota për anulim të Gjykatës Speciale, së paku 10 deputetë mund të kërkojnë vlerësim kushtetues të vendimit të Kuvendit pranë Kolegjit Kushtetues të Gjykatës Speciale.

Po, po, vetë Gjykata Speciale do të vendos për vlerësimin e kushtetutshmërisë së ligjit për anulimin e Gjykatës Speciale që do të mund të miratohej në Kuvend.

Kjo do të thotë se zhbërja e anulimit të Gjykatës Speciale është e sigurtë nëse dërgohet kërkesa për vlerësim të kushtetutshmërisë të vendimit të Kuvendit në Kolegjin Kushtetues të Gjykatës Speciale nga së paku 10 deputetë.

Vetëm LDK dhe Lista Serbe kanë mundësi reale të dërgojnë kërkesën për vlerësim kushtetues të ligjit për anulim të Gjykatës Speciale.

Në rast se kërkesa dërgohet nga LDK, ka rrezik të aktivizohet konflikti i ngrirë ndërmjet “krahut të paqes” dhe “krahut të luftës” që ka potencial të nxitë edhe trazira. Nëse kërkesa dërgohet nga Lista Serbe, ringjallet konflikti etnik përmasat e të cilit nuk do të kufizohen vetëm në Kosovë.

Rreziqet e lartpërmendura duket se po ju japin siguri iniciatorëve të anulimit të Gjykatës Speciale se ligji nuk do të dërgohet për vlerësim kushtetues.

Në rast se materializohen këto rreziqe nuk do të jemi vetëm vend i izoluar por vend i izoluar në konflikt të brendshëm.

Absurditeti më i madh është se në gjithë këtë tollovi do të harrohet se Gjykata Speciale u themelua për UÇK-në pikërisht nga eksponentët kryesor të UÇK-së.