08:15 / E Shtunë, 21 Korrik 2018 / indeksADMonline

Pazari me territore

Në fazën përfundimtare të dialogut me Serbinë mund të hapet edhe tema e shkëmbimit të territoreve në mes dy vendeve. Ndonëse jozyrtarisht si zgjidhje përmendet që Serbia ta marrë veriun e Kosovës, ndërsa kjo e fundit Luginën e Preshevës. Madje në Kosovë ka politikanë të rëndësishëm që e përkrahin një ide të tillë, duke përfshirë këtu nënkryetarin e partisë më të madhe opozitare (LDK) Lutfi Hazirin, i cili njëherësh është edhe kryetar i Komunës së Gjilanit. Për ndarje të Kosovës shpeshherë ka folur edhe shefi i diplomacisë serbe, Ivica Daçiq.

Ambasadori amerikan Greg Delawie gjatë një interviste të enjten në emisionin “Rubikon” të KTV-së u citua nga medie të ndryshme në vend të ketë deklaruar se në dialog çdo gjë është e diskutueshme. Për më tepër, edhe vetë autori i emisionit Adriatik Kelmendi në një status në faqen e tij në “Facebook” shkroi se është për alarm ndryshimi i qëndrimit të prerë amerikan kundër opsionit të ndarjes së Kosovës. “Prej përjashtimit absolut të ‘ndarjes’ si opsion ‘i rrezikshëm’ e deri te relativizimi i skajshëm i kësaj teme nën arsyetimin se ‘kjo u mbetet palëve’”, ka shkruar në mes të tjerash Kelmendi.

Por, të premten (dje) Delawie ka reaguar përmes një postimi në “Twitter”, duke bërë thirrje që të injorohet ky “lajm i rremë”, siç e ka quajtur ai. “Injoroni lajmin e rremë. Ja se çfarë kam thënë: Kosova duhet të kuptojë se cilat janë qëllimet e saj, ajo duhet të përpiqet të arrijë një lloj konsensusi mbi këto qëllime dhe kjo është ajo në të cilën unë po përqendrohem tani”, ka shkruar Delawie, shkruan sot Gazeta Zëri.

Në anën tjetër, një marrëveshje të tillë të mundshme e ka komentuar edhe presidenti Thaçi, i cili tha se marrëveshja përfundimtare me Serbinë do të bëhet në dakordim të plotë me SHBA-në. Ndërkohë, kundër një marrëveshjeje të tillë ka dalë kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj, i cili shkëmbimin e territoreve e ka konsideruar si të rrezikshëm.

Edhe partitë opozitare janë shprehur kundër një marrëveshjeje të tillë, mirëpo as ata nuk e përjashtojnë mundësinë që në marrëveshjen finale të ketë edhe shkëmbim territoresh.