15:11 / E Diele, 03 Dhjetor 2017 / indeksADMonline

Punëtorët, “specia” më e rrezikuar në Kosovë

1. Pas luftës së ndodhur në Kosovë, shumica e punëtorëve të gjigandit të njohur të Trepçës të cilët në kohën e regjimit serb bënë që të mbahen si një ndër katalizatorët kryesor që katapultuan në botë të vërtetën mbi segregacionin, diskriminimin dhe padrejtësitë që atëbotë ushtrohej nga estabilishmenti i Serbisë, mbetën pa përkujdesjen e askujt!

2. Ata në fakt, në vend që të rehabilitohen nga ana e pushtetit të pasluftës përmes benificioneve sociale, pra në vend që të respektohen përmes gjuhës së ligjit, u bënë objekt margjinalizimi dhe pothuajse harrese nga të gjithë! Në fakt ata u bënë një “specie e rrezikuar” që meritonte një satisfaksion bile juridik në kuptimin e krijimit të parakushteve ligjore për një mbrojtje shtesë ligjore.

3. Këtij procesi të rrezikimit, pa dyshim sot i janë ekspozuar edhe punëtorët e KEK-t, dhe shumë të tjerë të cilët i janë ekspozuar largimit sistematik nga ish vendete tyre të punës. Themi kështu edhe për shkak se kjo kategori apo shtresë sociale për dallim nga shtresat tjera që u riprodhuan me faktet e reja ekonomike të mëvonshme, ishte një bazë e mirë sociale për të identifikuar qëllimet dhe nevojat e një shtresëzimi të ri që po lindte si rezultat i zhvillimeve dhe proceseve të tranzicionit.

4. Në vend të kësaj ndërmarrjeje nga ana e shtetit të Kosovës, kjo shtresë sociale jo që s’u shpërblye për meritat e mobilitetit të paraluftës, por u pauperizua (varfërua) aq skajshmërish sa që edhe si kategori sociale është bërë vërtetë një “specie” me status tejet të rrezikuar.

5. Kur të analizohet më detajisht kjo shtresë me këtë shkallë kaq të lartë të rrezikut për vetën e saj, atëherë si shkaqe tjera plotësuese për të analizuar shkallën e rrezikshmërisë së tyre, kujtojë që duhet gjurmuar edhe tek rreshtimet e tyre partiake të pasluftës.

6. Që në një mënyrë apo tjetrën ishin më tepër të natyrës së spontanitetit se sa të ndonjë afrie dhe bindjeje të vërtetë me partitë që u ngutën t’i rekrutonin në radhët e tyre militante. Rreshtimet, apo në fakt më mirë me thënë rirreshtimet ideologjike të edhe të atyre punëtorëve të pakët që i kishte Kosova në procesin e kategorizimit social, e ashpërsuan edhe më tej edhe ashtu konkurrencën jo lojale midis tyre.

7. Kjo bëri që dita më ditës procesi i selektimit të bëhet gjithnjë më i ashpër dhe më i shprehur në të gjitha dimensionet e veta. Duke mos i paragjykuar shtresat tjera dhe gjithë procesin e filluar të shtresëzimit dhe ristrukturimit të ndodhur social në shoqërinë kosovare, na del se “viktimat e falimentimit” padyshim që mund të rekrutohen si nga: ish punëtorët e gjigandëve dhe kompanive shtetërore ashtu edhe nga kompanitë e tanishme të privatizuara që akoma nuk kanë arritur të dëshmojnë se mund të bëhen konkurrent serioz në tregun rajonal dhe atë global.

Shkruan: Fadil Maloku