19:26 / E Mërkurë, 04 Prill 2018 / indeksADMonline

Shyqiri Bytyqi takon Isa Krasniqin, diskutojnë për standardizimin e statistikave në arsim

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi ka pritur në takim kryeshefin ekzekutiv të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, Isa Krasniqin.
Bytyqi ka bërë me dije se në këtë takim është biseduar për standardizimin e statistikave në sektorin e arsimit.

Ministri ka theksuar se është dakorduar me Krasniqin që të hartohet një Marrëveshje Bashkëpunimi ndërinstitucional ku do të saktësohen obligimet dhe përgjegjësitë lidhur me raportimin e të dhënave statistikore për të gjitha nivelet e arsimit, sipas standardeve që kërkohen dhe aplikohen në vendet e Bashkimit Evropian.

Më poshtë gjeni njoftimin e plotë të Bytyqit:

Sot, prita në takim kryeshefin ekzekutiv të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), Isa Krasniqi dhe drejtorin e Departamentit të Statistikave Sociale, Avni Kastrati, me të cilët bisedova lidhur me raportimin dhe standardizimin e të dhënave statistikore në sektorin e arsimit.

MAShT posedon të dhënat e duhura për të gjitha nivelet e arsimit, por ato vazhdojnë të pasurohen dhe plotësohen në vazhdimësi, sipas trendeve, përfshirë këtu edhe regjistrimin e nxënësve apo studentëve në vitin shkollor, përkatësisht akademik. Ne jemi në bashkëpunim edhe me Bankën Botërore që kjo çështje të bëhet në mënyrën më të mirë të mundshme, ashtu që të kemi databazën e nevojshme për hartimin e politikave arsimore në të ardhmen.

U dakorduam që brenda një kohe të shkurtër të hartohet edhe një Marrëveshje Bashkëpunimi ndërinstitucionale, ku do të saktësoheshin edhe obligimet dhe përgjegjësitë lidhur me raportimin e të dhënave statistikore për të gjitha nivelet e arsimit, sipas standardeve që kërkohen dhe aplikohen në vendet e Bashkimit Evropian.