22:59 / E Hënë, 14 Qershor 2021 / AR

Lehtësimi i bllokimit në Angli shtyhet për në 19 korrik

Rihapja totale e planifikuar në Britani për 21 qershor është shtyrë për 19 korrik për shkak të përhapjes së variantit Delta të koronavirusit. Kjo u njoftua nga kryeministri Britanik Boris Johnson duke shpjeguar se në këtë periudhë kohore do të jetë e mundur të vazhdohet të administrohen dozat e dyta të vaksinës anti-Covid.

Sipas kryeministrit, rastet e varianteve po rriten në Britani me rreth 64% në javë.

“Na duhet më shumë kohë “, shtoi kryeministri Britanik duke njoftuar shtyrjen katër-javore të rihapjes totale.

“Covid nuk mund të eleminohet thjesht, ne duhet të jetojmë me të”, tha Johnson.

Sipas tij qeveria duhej të përballej me një zgjedhje të vështirë: të vazhdohej me fazën e katërt të rihapjes në 21 qershor, me mundësinë reale që virusi të kapërcejë vaksinat, duke shkaktuar mijëra viktima që mund të ishin shmangur, ose t’i jepen autoriteteve shëndetësore disa javë më shumë për të administruar vaksinat për ata që kanë nevojë për to”, theksoi Johnson.

Shkencëtarët kishin paralajmëruar se mund të kishte një “ringjallje të konsiderueshme” te njerëzit që kishin nevojë për trajtim spitalor për Covid-19 nëse faza e katërt e lehtësimit të bllokimit do të vazhdonte më 21 qershor.

Ky vendim vjen mes rasteve në rritje, të nxitura nga varianti më i transmetueshëm Delta, i cili u identifikua për herë të parë në Indi.