12:37 / E Shtunë, 16 Mars 2019 / indeksADMonline

Protestuesve iu kundërpërgjigjet Rama: Qeveria nuk preket

​Kryeministri Edi Rama deklaroi nga Berati në një takim me operatorët turistikë të këtij qyteti, se fatkeqësisht ajo që ndodh me politikën, kur ndodh për keq, dëmton turizmin dhe ekonominë e vendit.

Kryeministri ka këmbëngulur se qeveria nuk do të preket, ndërsa për protestuesit ka thënë se janë rrogëtarë.

“Gjithçka tjetër preket, por qeveria nuk preket, shumica qeverisëse nuk preket se nuk është një mur që i bie dhe e shemb. Është një mandat i dhënë nga populli dhe vetëm populli gjykon nëse ky mandat duhet të ndryshojë. Por preket ekonomia e kujtdo. Ata që shkojnë në protestat e organizuara dhe të orkestralizuara për t’u materializuar në dhunë, një pjesë janë rrogëtarë të administrata lokale, tejet të politizuara që bëjnë detyrën ndaj partisë. Mbase për ta llogaria, edhe pse dritëshkurtër, është e thjeshtë, marrin një rrogë shkojnë në protestë”, theksoi Rama.

Ai shtoi se me protesta të tilla po u japin argumenteve atyre që punojnë kundër Shqipërisë.

“U japin argument atyre që nuk na duan të thonë se s’keni as minimumin e maturisë, jeni në epokën e gurit në aspektin politik, se nuk keni kuptuar që mandati i popullit nuk preket, nuk digjen mandatet. Kush nuk na do, thotë bëni njëherë stazhin e demokracisë, pastaj pretendoni të futeni në shtëpinë tonë”, tha Rama. /Indeksonline/