10:41 / E Mërkurë, 24 Gusht 2022 / LB

​Escobar dhe Lajçak në Kosovë, profesori universitar: Do të ketë marrëveshje për targat dhe dokumentet

Në ditën kur emisarët e SHBA-së dhe BE-së për Ballkanin Perëndimor po qëndrojnë në Kosovë, njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare, Arben Fetoshi shprehet optimist se Kosova dhe Serbia do të arrijnë një marrëveshje për targat dhe letërnjoftimet. Sipas tij, e njëjta do të konsistojë edhe në vendimin e Qeverisë së Kosovës për masën e reciprocitetit.

Profesori universitar thotë se zgjidhja më e mirë për të dyja vendet do të ishte që Serbia t’i pranonte dokumentet e Kosovës, në të kundërtën thekson se duhet të nis së zbatuari vendimi i Qeverisë së Kosovës për reciprocitet.

“Unë jam optimist që duke e pasur parasysh edhe involvimin e madh të ShBA-së në këtë proces duke e pasur parasysh edhe aspektin gjeopolitik të situatës që lidhet me luftën në Ukrainë dhe synimet e Putinit për destabilizim të Ballkanit, jam i bindur që do të kemi një marrëveshje e cila do të duhej të konsistonte në zbatimin e vendimit të qeverisë sonë për reciprocitetin sa i përket targave dhe dokumenteve. E mira e së mirës do të ishte që qytetarët e të dyja vendeve të mos maltretoheshin me masa të tilla siç ka bërë Serbia me vite të tëra ndaj qytetarëve të Kosovës, e mira e së mirës do të ishte që Serbia t’i pranonte dokumentet e Kosovës dhe të mos kemi nevojë pastaj që Qeveria jonë të fillojë zbatimin e vendimit të saj për reciprocitetet, në të kundërtën jam i bindur që prej 1 shtatorit besoj që edhe BE-ja edhe ShBA-ja kanë qenë në anën e Kosovës sa i përket të drejtës për fillimin e zbatimit të reciprocitetit”, thotë ai.

Njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare, Arben Fetoshi thekson se tash është momenti për arritjen e një marrëveshje ligjërisht të obligueshme për të dyja vendet dhe se e gjithë energjia duhet të koncentrohet në këtë drejtim.

“Tashmë jemi në situatën kur pas një dekade e më tepër të dialogut për normalizimin e raporteve të dyja vendet duhet të arrijnë marrëveshjen. Kjo do t’i bënte mirë paqes dhe marrëdhënieve të Kosovës dhe Serbisë. Pra, duke e pasur parasysh ndjeshmërinë e situatës që e ka karakterizuar sidomos zonën veriore të Kosovës, besoj që një përfshirje më e madhe e ShBA-së dhe BE-së për marrëveshjen ligjërisht të obligueshme ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, e cila në qendër duhet të ketë njohjen e ndërsjellë mes dy vendeve, është zgjidhja përfundimtare që duhet të garantojë paqen në rajonin tonë, të gjitha të tjerat do të jenë humbje kohe dhe do të jenë mundësi potenciale për forcat destruktive që të interesohen në vazhdimësi për ta destabilizuar rajonin tonë. Prandaj, nëse flasim për një marrëveshje për targat dhe dokumentet deri më 1 shtator unë jam i bindur që krejt energjia duhet të koncentrohet që sa më parë të kemi një marrëveshje të përgjithshme të normalizimit të raporteve dhe që do të garantojë njohjen e ndërsjellë sepse mbi bazën e kësaj marrëveshjeje pastaj të gjitha çështjet e tjera mund të zgjidhen më lehtë në kuptimin që një marrëveshje e tillë të jap shanse dhe të mos e cenojë më paqen në Ballkan”, thotë Fetoshi.

Edhe më tej qytetarëve të Kosovës po u mohohet e drejta e lëvizjes së lirë në zonën shengen, e kjo nga Fetoshi po konsiderohet qesharake.

Sipas tij, çdo lëvizje pozitive në dialogun Kosovë-Serbi do të ndikojë edhe në këtë proces.

“Është bërë qesharake kjo çështja e liberalizimit të vizave për Kosovën dhe unë jam i bindur se kemi një rezistencë të mëtejme vetëm nga Franca, e që për fat të keq lidhet me interesa të drejtpërdrejta të Francës në rajonin tonë, sepse nëse i referohemi Komisionit Evropian dhe Parlamentit Evropian Kosova tashmë i ka përmbushur të gjitha kriteret. Në anën tjetër, të gjithë e dinë që Kosova është përballur me dyfishim kriteresh sa i përket liberalizmit të vizave, por besoj që BE në kohët e fundit ka lënë të kuptohet se çështja e liberalizimit të vizave është vendosur në kontekst të zhvillimeve politike të dialogut Kosovë-Serbi në njëfarë mënyrë është përdorë si një instrument kushtëzues për Kosovën e që është absolutisht qasje e padrejtë ndaj qytetarëve të Kosovës. Në këtë sens mendoj se nëse do të kemi qasje pozitive në kuadër të dialogut të Brukselit jam i bindur se procesi i vendimmarrjes për liberalizimin e vizave është çështje ditësh dhe procedurë shumë e thjeshtë, mjafton të kemi vullnetin politik të shteteve anëtare në Këshillin e BE-së”, thotë profesori universitar.

Lidhur me dialogun Kosovë-Serbi në Kosovë nga dje po qëndron i dërguari i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escoba, ndërsa sot në vendin tonë do të qëndrojë edhe emisari i Bashkimit Evropian, Josep Borrell.

Të dy emisarët sot do të zhvillojnë takime me krerët e institucioneve të Kosovës në përpjekje për arritjen e një marrëveshjeje për targat dhe letërnjoftimet.

Takimi i fundit në Bruksel në mes të Kosovës dhe Serbisë u zhvillua më 18 gusht.

Ky takim u zhvillua pasi serbët ngritën barrikada më 31 korrik dhe 1 gusht për të kundërshtuar vendimet e Qeverisë së Kosovës për targat dhe dokumentet serbe. E këto barrikadat u larguan pasditen e 1 gushtit pasi Qeveria e Kosovës shtyu zbatimin e masës së reciprocitetit për targa dhe dokumente deri më 1 shtator.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti do të flas tek sot për takimin në Bruksel, para mbledhjes së Qeverisë.