13:38 / E Diele, 23 Dhjetor 2018 / indeksADMonline

​Spitali i Podujevës ende s’funksionon, komuna akuzon Ministrinë e Shëndetësisë

Që nga viti 2016-të kur ishte marrë vendim nga Ministria e Shëndetësisë për themelimin e Spitalit të Përgjithshëm të Podujevës, vit pas viti ishte premtuar se ky spital do të jetë i gatshëm për të ofruar shërbime për qytetarët e kësaj komune, por, edhe sot kur jemi në përfundim të vitit 2018-të, ky spital ende nuk është funksional.

Mosfunksionalizmi i këtij spitali po i detyron qytetarët e Podujevës të udhëtojnë me kilometra në drejtim të  Prishtinës, për të marrë shërbimet e nevojshme. Pasi Qendra Klinike e Mjekësisë Familjare në këtë komunë nuk i posedon kushtet dhe kapacitetin e duhur për tretman.

Mospasja e një spitali të tillë e detyron Rrahim Berishën, të udhëtoi shpesh drejt QKUK-së. Për mosfunksionalizimin e Spitalit të Përgjithshëm të Podujevës, ai fajëson nivelin lokal edhe atë qendror. 

Ndërsa për Ali Bajokun, një neglizhim i tillë duke hedhur fajin tek njëri-tjetri, përbënë një mentalitet jugosllavë të qeverisjes. Ardhja e shpeshtë e tij në Prishtinë, për çdo gjë, përbënë një dhunim të madh.

Ndërsa për drejtorin e Drejtorisë së Shëndetësisë në Komunën e Podujevës, Zaim Thaçi, bllokimi po ndodhë nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë. Ai disa herë e përsëritë se komuna nuk ka përgjegjësi për mosfunksionalizmin e këtij spitali dhe kompetencat për këtë i ka Ministria e Shëndetësisë.

Sipas tij, Ministria e Shëndetësisë e ka për obligim t’i planifikojë investimet kapitale për mallrat e shërbimet, si dhe për resurset humane.

Sipas tij, nuk ka arsye pse Komuna e Podujevës me blloku punën, kur dihet se qytetarët e Podujevës kanë nevojë për këto shërbime.

E krejt epilogun e kësaj pune, drejtori i Shëndetësisë, Zaim Thaçi, e sheh në vitin 2019 nga investimet kapitale që duhet t’i planifikojë Ministria e Shëndetësisë. 

Për ushtruesin e detyrës së Drejtorit të QKMF-së në Podujevë, Fazli Llugaliu, funksionalizmi i Spitalit të Përgjithshëm do të rriste shërbimet ndaj pacientëve, mbarëvajtja e punës do të ishte më e mirë, si dhe do të shkarkonte ngarkesën që i bëhet QKUK-së në Prishtinë.

Pacientët që janë në dializë e kanë shumë të vështirë të udhëtojnë drejtë Prishtinës për të marrë mjekimin e nevojshëm. Sipas Llugaliut, kostoja e tyre është e madhe, e që e bënë të domosdoshëm funksionalizmin e këtij spitali. 

Llugaliu: Kostoja e transportit është shumë e madhe   Video  “Ne i kemi me statistikë mbi 46 pacientë që kostoja e tyre është shumë e madhe, vetëm transportimi i tyre, e lëre më mundi që bëhet, përmes mjeteve tona në QKUK në Prishtinë, atëherë kishte qenë mëse e domosdoshme funksionalizimi i dializës në spitalin që e kemi si objekt në oborrin tonë”, tha Llugaliu.

Edhe pse KosovaPress ka kontaktuar përmes e-mailit dhe telefonit, zyrtarët e Ministrisë së Shëndetësisë, nuk kanë pranuar të flasin për këtë temë.