12:43 / E Shtunë, 28 Mars 2020 / indeksADMonline

100 vjet më vonë, çfarë kemi mësuar nga pandemia e gripit spanjoll

Pas Luftës së Parë Botërore, një pandemi gripi pushtoi botën dhe vrau të paktën 50 milionë njerëz. Çfarë kemi mësuar nga gripi spanjoll që ta përdorim gjatë kësaj pandemie?

Njëqind vjet më parë, bota po rimerrte veten nga një luftë që kishte marrë 20 milionë jetë njerëzish dhe papritur, duhej të përballej me një rrezik edhe më vdekjeprurës: një pandemi gripi.

Pandemia, e cila u njoh si gripi spanjoll, besohet të ketë nisur në kampet e trajnimit të ushtrisë në Frontin Perëndimor. Kushtet josanitare – sidomos në llogoret në kufirin francez – ndihmuan në inkubimin dhe përhapjen e virusit. Lufta mbaroi në nëntor të 1928-s, por teksa ushtarët ktheheshin në shtëpi, mbartës të virusit, po shkaktonin një tragjedi të paparashikueshme; rreth 50-100 milionë jetë të humbura.

Bota ka kaluar disa pandemi që asokohe, por asnjëra s’ka qenë aq vdekjeprurëse apo aq e përhapur.

Në këto momente, bota po përballet me një tjetër pandemi – Covid-19 – kështu që le të shohim çfarë kemi mësuar nga një prej sëmundjeve më shkatërrimtare në histori.

Vdekjeprurëse është pneumonia

Shumica e njerëzve që vdesin nga Covid-19 kalojnë një formë pneumonie që fuqizohet ngaqë sistemi imunitar dobësohet nga virusi.

Kjo është një e përbashkët me gripin spanjoll – edhe pse vdekshmëria e Covid-19 është shumë herë më e ulët. Njerëzit e moshuar dhe ata me probleme imunitare – që përbëjnë shumicën e viktimave të sëmundjes – janë më të prirur ndaj infeksioneve që shkaktojnë pneumoni.

Vendet që i shpëtuan rrezikut

Kur goditi gripi spanjoll, aviacioni ishte një fillimet e tij. Por vetëm pak vende në botë i shpëtuan horrorit. Përhapja ishte më e ngadaltë pasi kalonte nga pasagjerët e linjave hekurudhore. Disa shtete në botë u prekën muaj ose edhe vite më vonë nga Europa.

Disa komunitete specifike ia dolën t’i shmangen tërësisht gripit përmes teknikave bazike që përdoren ende sot. Në Alaskë, një komunitet në Bristol Bay, nuk pati asnjë të prekur. Ata mbyllën shkollat, ndaluan grumbullimet publike dhe ndaluan hyrjen në fshat. Ishte një version i thjeshtë i kufizimeve që zbatohen sot në Italinë veriore dhe në provincën Hubei në Kinë.

Mjekët e kanë etiketuar gripin spanjol si “holokausti mjekësor më i madh në histori.” Jo thjesht sepse vrau shumë njerëz, por sepse shumica e viktimave ishin të rinj dhe të shëndetshëm. Zakonisht, një sistem imunitar i shëndetshëm mund ta përballojë pa problem gripin, por ky version goditi me aq shpejtësi sa trupi s’e përballoi dot dhe nxiti një reagim masiv që njihet si stuhia citokine; mushkëritë mbusheshin me lëng dhe ktheheshin në vatra ideale për infeksione dytësore. Njerëzit e moshuar, për çudi, s’ishin shumë të rrezikuar. Ndoshta ngaqë i kishin mbijetuar një version të ngjashëm të gripit në vitet 1830.

Shëndeti publik është mbrojtja më e mirë

Gripi spanjoll ndodhi fill pas një lufte botërore dhe shumica e të ardhurave ishin alokuar për ushtrinë. Ideja e një sistemi shëndetësor ishte në fillimet e tij – në shumë vende, vetëm shtresa e mesme ose të pasurit mund të përballonin një vizitë te mjeku. Gripi vrau njerëz të varfër dhe të pafatë, njerëz që s’ushqeheshin mirë, s’kujdeseshin për higjienën dhe kishin probleme të tjera shëndetësore.

Pikërisht gripi spanjoll nxiti zhvillimin e një sistemi shëndetësor në vendet e zhvilluara, pasi shkencëtarët dhe qeveritë kuptuan se pandemitë mund të përhapen më shpejt se më parë.

Trajtimi një nga një i pacientëve nuk mjafton – për t’i bërë ballë një pandemie në ditët e sotme, qeveritë duhet t’i përdorin burimet si të ishin në luftë, të vendosin në karantinë të sëmurët dhe të limitojnë lëvizjet e njerëzve.

Masat që po merren sot në gjithë botën për të mbajtur nën kontroll përhapjen e koronavirusit janë pasojë dhe mësim i gripit spanjoll.