09:48 / E Enjte, 18 Prill 2024 / k.v

24 orë nga koha e ndalimit, zv.drejtori i Policisë së Kosovës po mbahet ende në Serbi

Janë bërë 24 orë prej që zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës i nacionalitetit serb, Dejan Jankoviq, është duke u mbajtur nga autoritetet serbe. Ai u ndalua në Jarinje dhe menjëherë u nis drejt Rashkës prej nga më nuk ka informacion se ku ndodhet. Ministria e Punëve të Brendshme mbrëmë njoftoi se autoritetet serbe i kanë ndaluar “10 pjesëtarë të Policisë së Kosovës (shqiptarë dhe serbë)”, por shtoi se pesë prej tyre janë liruar ndërsa pesë të tjerë po mbahen në Serbi.

IndeksOnline ka pyetur sot institucionet e vendit rreth fatit të Dejan Jankoviqit dhe katër zyrtarëve tjerë policor, mirëpo të njëjtit ende nuk kanë marr njoftim zyrtar për lirimin e tyre.

“Jemi në kontakt të vazhdueshëm më Shefin e Zyrës Ndërlidhëse të Kosovës në Serbi, mirëpo deri në këto qaste nuk kemi ndonjë informacion zyrtar për lirimin e zyrtarëve policor të ndaluar mëngjesin e djeshëm”, ka thënë për IndeksOnline, një zyrtar i qeverisë së Kosovës.

Dje në orët e hershme të mëngjesit, Serbia kishte ndaluar disa autobusë me udhëtarë nga Kosova, në kufijtë me Kroacinë dhe Hungarinë, si “shenjë hakmarrjeje ndaj mbështetjes nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës për anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë”.

Ministria e Punëve të Jashtme i ka bërë thirrje autoriteteve të Serbisë për lirim të menjëhershëm të gjithë qytetarëve dhe pjesëtarëve të Policisë së Kosovës të ndaluar pa asnjë arsyetim dhe në shenjë hakmarrje për Republikën e Kosovës.

“Kërkojmë nga i gjithë faktori ndërkombëtar të dënohet fuqishëm kjo sjellje e Serbisë karshi qytetarëve të Republikës së Kosovës. Të tilla akte janë bërë vazhdimisht nga ky shtet për çka ritheksojmë se në burgjet e Serbisë tashmë ka shumë qytetarë që mbahen padrejtësisht për të njëjta motive ndaj vendit tonë. Duke pasur parasysh situatën e sigurisë dhe gjuhën e vazhdueshme kërcënuese të Serbisë, ju bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve tanë për shmangie të udhëtimit përmes Serbisë”, thuhet në reagimin e MPJD-së./IndeksOnline/