13:42 / E Premte, 06 Prill 2018 / indeksADMonline

Diplomati shqiptar promovon libra për Kosovën

Në Bibliotekën Kombëtare në Prishtinë janë promovuar librat “Lufta e Kosovës në labirintet diplomatike” dhe “Në Gjenevën për Kosovën-fjalime në institucione ndërkombëtare 1998-2002” të autorit Ksenofon Kristafi.

Drejtori i Akademisë Diplomatike të Kosovës, Beqir Ismaili tha se përmes këtyre dy librave janë informuar forumet ndërkombëtare për zhvillimet në Kosovë gjatë periudhës 1998-2002.

“Dy tituj që dokumentojnë luftën e Kosovës në labirintin e diplomacisë si pjesë e përpjekjeve të përbashkëta të diplomatëve, politikanëve e njerëzve me më autoritet dhe prestigj ndërkombëtar për zgjidhjen e problemit të Kosovës në forumet ndërkombëtare dhe tjetri zërin e Kosovës të misionit shqiptar të Gjenevë  në vitet e stuhishme të luftës në 1998-2002, gjithnjë një këtë kuadër për të dëshmuar dhe informuar institucionet ndërkombëtare të Gjenevës mbarë opinionin ndërkombëtar për zhvillimet në Kosovë“, tha Ismaili.

Kurse, ish zëvendës ministri i Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Pëllumb Xhufi tha se Kosova ka bërë një hap të madh në momentin kur rinia morën armët dhe vendosën që të fitojnë lirinë e vendit.

Sipas tij çështje e Kosovës në kohën e krizës së saj u kthye në çështje parësore për shtetin shqiptar, dhe ndikim të madh në këtë luajti edhe diplomati Ksenofon Kristafi.

“Ka luajtur një rol të jashtëzakonshëm në ndjekjen dhe përcjellën në sensibilizimin  ndonjëherë ta themi pse jo edhe në tërheqjen e faktorëve ndërkombëtar në ato që ishin aspiratat, linjat e politikës së jashtme nuk po them të Shqipërisë por po them të kombit shqiptar në atë periudhë. Fjalimet e tij që ndodhen në librin që u thash në Gjenevë për Kosovën janë një sintezë e shkëlqyer e një diplomati të stazhonuar të fortë, të një eksperti të së drejtës ndërkombëtare “, tha ai.

Kurse, ish ministri i Kulturës në Shqipëri, Moikom Zeqo tha se çështja e Kosovës është një çështje e habitshme e shekullit XX, e cila ka gjetur zgjidhje për vetën e saj duke arritur fitoren e lirisë.

Zeqo tha se librat e autorit Ksenofon Kristafit janë libra të vërtetë për shkak të kronologjisë  të ngjarjeve që ndodhën në Kosovë.

Duke u bazuar në këto dy libra Zeqo çështjen e Kosovës e ka ndarë në disa periudha, si ajo pas shpërbërjen së Perandorisë Osmane e deri tek demonstratat e studentëve të viteve 1981.

“Çështjen e Kosovës do e klasifikoja duke u bazuar në vepra e professor Kristafit  në katër etapa të cilat janë të ndryshme dhe me zgjidhje të ndryshme historike, etapa e parë jo shumë e studiuar e shpërbërjen së perandorisë osmane dhe mbetjes së Kosovës pas traktatit të Londrës, etapa e dytë është një çështje shumë e rëndësishme çështja e ndërgjegjes kombëtare të vetë popullit shqiptar të Kosovës të kulmuar me një nga ngjarjet më sublime dhe intelektualist shumë më lartë edhe në rrafshin evropian siç janë demonstratat e studentëve në viteve 1981, ata studentë prapa të cilëve fshihej një universitet …arritët të artikulonin idetë të cilat ishin paraprijëse. Kjo etapë për mendimin tim deri në vitin 99 karakterizohet nga gjallërimi i pa shembull i mendimit politik “,tha ai.

E autori i këtyre dy titujve që sot u promovuan,  Ksenofon Kristafi tha se Kosova ka qenë dhe mbetët pjesë e rëndësishme e formimit qytetar dhe kulturor për çdo shqiptar kudo që është.

Me pozitën e tij si ambasador i Shqipërisë në Zyrën e Kombeve të Bashkuara dhe organizatave tjera me seli në Gjenevë, Kristafi tha se angazhoi studentë shqiptar kudo që ndodheshin për t’i vënë në shërbim të Kosovë.

Ai tha se fjalimet e botuara në librin “Në Gjenevën për Kosovën-fjalime në institucioneve ndërkombëtare 1998-2002” janë fjalimet që kanë sensibilizuar opinionin shqiptar për gjendjen e Kosovës gjatë periudhës 1998-2002.

“Dalja e këtyre djemve dhe vajzave në tribunat  e organizatave ndërkombëtare të Gjenevës ishte një ngjarje e veçantë, ishte një ndryshim rrënjësor, i imazhit dhe ishte një përfshirje e çështjes së Kosovës në mënyrë të përditshme për të gjitha punimet e organizatave ndërkombëtare në Gjenevë….Fjalimet që ne kemi mbajtur në këto organizata ndërkombëtare që përgatiteshin pas dite,natën në mëngjes dhe që reflektonin zhvillimet në Kosovë, vrasjet torturat, masakrat,dëmtimet e jashtëzakonshme që bëheshin nuk mund të ishin të çliruara nga emocionet, nga patosi, nga dashuria, nga dhimbja, nga tragjizmi që shoqëronin pikërisht këto zhvillime”, tha ai.

Sipas tij misioni diplomatik shqiptar në Gjenevë ka dhënë kontributin e saj për  zgjidhjen e problemit të Kosovës.

Diplomati shqiptar, Ksenofon Kristafi kërkoi që populli shqiptar duhet të punoj jo për tu ndarë, por për të qenë bashkuar.

Ai falendëroi zv/kryeministrin Enver Hoxhaj për organizimin e promovimit të dy veprave të tij.

Në këtë promovim të këtyre dy titujve “Lufta e Kosovës në labirintet diplomatike” dhe “Në Gjenevën për Kosovën-fjalime në institucione ndërkombëtare 1998-2002” të diplomatit Ksenofon Kristafi  morën pjesë edhe figura të njohura politike e intelektuale të vendit si Rexhep Qosja, Albin Kurti, Hajredin Kuçi etj.