13:37 / E Hënë, 16 Tetor 2017 / indeksADMonline

A do t’i përgjigjen presidentit 42 gjykatësit serbë?

Dyzet e dy gjykatës të sistemit paralel juridik serb në Kosovë janë thirrur që nesër të japin betimin para presidentit Hashim Thaçi.

Ata do të duhej të nisin me punë në kuadër të sistemit juridik të Kosovës më 23 tetor, kur pritet fillimi i punës, për herë të parë që nga viti 1999 – i gjykatave të Republikës së Kosovës në veri të vendit, raporton KoSSev duke iu referuar burimeve në Këshillin Gjyqësor të Kosovës.

Nesër, sipas portalit serb të Kosovës, do të duhej të nisë zbatimi i plotë në praktikë i marrëveshjes së Prishtinës dhe Beogradit për gjyqësinë, të cilën më herët në Bruksel e arritën presidentët e Kosovës dhe Serbisë, Hashim Thaçi dhe Aleksandar Vuçiq.

Por, siç , transmeton Gazeta Express, ende nuk dihet nëse gjykatësit serbë nesër do të dalin para presidentit Thaçi për të dhënë betimin, ndërkohë që nga Këshilli Gjyqësor shprehen optimistë.

“Ftesa u është dërguar 42 gjykatësve dhe nuk e dimë nëse do të vijnë, ose jo. Deri nesër vërtet nuk mund t’ju them asgjë”, ka deklaruar drejtori i përgjithshëm i Sekretariatit të Këshillit Shkëlzen Maliqi, duke konfirmuar se po qe se japin betimin këta gjykatës do të duhej të nisin punën sot një javë, më 23 tetor.

Atëherë, ka shtuar Maliqi, do të duhej të nisin të punojnë edhe ndërtesa e gjykatës në Mitrovicën e veriut, prokuroria në Mitrovicën e Jugut, në Zubin Potok, Leposaviq… të gjitha.

Burime nga ekipi negociator i Beogradit kanë njoftuar edhe detaje nga marrëveshja për gjyqësorin. Kështu, sipas KoSSev, krahas marrëveshjes ekziston edhe një “marrëveshje përcjellëse” që kujdeset për detajet, siç është ai se në asnjë vend në dokumentacion nuk ekziston as stema, e as emri Republika e Kosovës.

Burimet e njëjta kanë thënë se “në dokumentacion nuk do të shkruajë as ‘AP KiM’ (“Krahina Autonome e Kosovës e Metohisë”, siç emërohet Kosova në Kushtetutën serbe, vër.G.E.), por as ‘Republika e Kosovës’”, ndërsa gjykatësit serbë d të japin një lloj “betimi neutral në kuptimin statusor”, respektivisht “një lloj të posaçëm betimi që nuk do të jetë i njëjtë me atë që e japin gjykatësit shqiptarë të Kosovës”.