14:56 / E Mërkurë, 18 Dhjetor 2019 / indeksADMonline

Alarmante,103 persona humbin jetën në komunikacion sivjet

Dikush duke kaluar rrugën në vendkalimin për këmbësor,  dikush duke qenë pasagjer në veturë, e dikush duke ngarë me shpejtësi të madhe u ndanë nga kjo jetë.

103 qytetarë të Republikës së Kosovës kanë gjetur vdekjen këtë vit në komunikacion, shkruan Indeksonline.

Në bazë të të dhënave, vitin e kaluar në aksidente fatale kanë humbur jetën 110 persona, 7 persona më shumë se në 2019.

Ndërsa në periudhën janar-nëntor të këtij viti 10 712 persona janë lënduar në aksidente.

Sipas policisë, pakujdesia, përqendrimi i pamjaftueshëm dhe tejkalimi i shpejtësisë mbeten ndër shkaktarët e humbjes së jetëve njerëzore nëpër rrugë.

“Shtatë persona më pak kanë humbur jetën këtë periudhë të vitit sesa periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, megjithatë numri i aksidenteve fatale mbetet shqetësues.

Pakujdesia, përqendrimi i pamjaftueshëm dhe tejkalimi i shpejtësisë mbeten ndër shkaktarët e humbjes së jetëve njerëzore nëpër rrugët tona, prandaj drejtuesit e automjeteve janë bartës kryesor të përgjegjësive gjatë pjesëmarrjes në trafik dhe të njëjtit duhet të jenë mjaftë të matur dhe vigjilent sepse përves rrezikimit të të tjerëve jo rrallë edhe vetë ata janë pjesë e statistikave fatale”, thuhet në përgjigjen e Policisë drejtuar Indeksonline.

Sipas informatave. në periudhën janar-tetor 2019 në Kosovë kanë ndodhur 90 aksidente fatale, 5 aksidente më shumë se sa vitin e kaluar.

Më vitin 2018 kishin ndodhur 85 aksidente fatale me 110 persona të vdekur.

Ndërsa , në periudhën e njejtë, kanë ndodhur 5 559 aksidente me 10 712 persona të lënduar.

E në vitin 2018 kanë ndodhur 5 706 aksidente me 11 336 persona të lënduar, shkruan Indeksonline.

Sipas policisë, këtë vit kanë ndodhur në total 14 552 aksidente.

Nga Policia e Kosovës kanë thënë për indeksonline se është e nevojshme që të kenë një angazhim edhe me të madh ndërinstitucional që të krijojnë rrethana më të favorshme për të reduktuar aksidentet.

“Përderisa gjatë kësaj periudhe të vitit në vendin tonë kanë humbur jetën mbi 100 persona si pasojë e pakujdesisë në drejtimin e automjeteve apo në çfarëdo forme tjetër të pjesëmarrjes në trafik, Policia e Kosovës vlerëson se është e nevojshme që të kemi një angazhim edhe me të madh ndërinstitucional dhe masa pro aktive dhe aktive duhet ndërmerren në vazhdimësi për të krijuar rrethana më të favorshme që numri i aksidenteve, në veçanti i atyre me fatalitet të reduktohet edhe më tej.

Policia si autoritet i zbatimit të ligjit po punon me përkushtim përmes planifikimeve operacionale, fushatave etj, për reduktimin në vazhdimësi të aksidenteve dhe njëkohësisht do të ndërmerr veprime ligjore ndaj kujtdo që shkelë rregullat dhe cenon sigurinë në rrugë”, thuhet në përgjigjen e tyre./Indeksonline/